Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli është shfaqur paraditen e kësaj të shtune në Pallatin e Kongreseve, për të marrë pjesë në punimet për Kuvendin Kombëtar të PD.
Në fjalën e saj për mediat, Topalli është shprehur se ky i sotmi është një moment që Partia Demokratike të rikthehet te vetja. Sipas saj, kjo nuk është hera e parë që PD gjendet në vështirësi.
“Sot është një moment kur PD mund të rikthehet te vetja e saj. Nuk është hera e parë që partia gjendet në vështirësi. Edhe pa qenë në krye të PD, edhe pa qenë deputete, njeriu duhet të gjejë forcën për të thënë të vërtetën. Nuk është nevoja të kesh karrige për të bërë beteja.
E rëndësishme është që bashkimi të bëhet mbi vlera, te njerëzit e thjeshtë, te ata që kërkojnë një opozitë reale jo opozitë false. Nuk ka dëm më të madh se t’i japësh vendit një opozitë false. Prandaj jam sot këtu”, u shpreh ish-kryeparlamentarja.