Kryebashkiakja e Durrësit Emirjana Sako është paraqitur për të dhënë dëshminë e saj sot në Komisionin Hetimor për çështjen e inceneratorëve. E pyetur nga kryetarja e këtij komisioni Jorida Tabaku mbi shkresën e dërguar për Porto Romanon dhe se ku është vendi i depozitimit të mbetjeve, Sako u përgjigj duke thënë se tashmë ai venddepozitim është kthyer në një park publik.
Tabaku insistoi duke e pyetur se a është e vërtetë që ka premtuar kontratë 10 milionë euro për koncesionarin e Tiranës, Sako u shpreh se zbaton vetëm ligjin duke theksuar se nuk ka pasur asnjë lloj presioni nga kryeministri për depozitimin e mbetjeve në Sharrë.
PJESË NGA DISKUTIMI
Emirjana Sako: Më lëni të bëj hyrjen time, më lini të flas.
Ermonela Felaj: Lëre të flasë për procedurë.
Jorida Tabaku: Të lutem me qetësi. Mos na pengoni punën, të lutem me etikë dhe qytetari. Mua s’më urdhëron as ti dhe askush tjetër.
Belind Këlliçi: Është e rëndësishme që t’i qëndrojmë strikt procedurës
Ermonela Felaj: Do të kërkoja të bëhej harmonizimi i radhës, dëshmitari duhet të dëgjohet pas çdo pyetje pa u ndërprerë. Duhet të dëgjojmë dëshmitarët dhe jo komentet. Komentet i fusim në raport. Do bëjmë pyetje duke evituar komentet. Nuk na interesojnë mendimet personale.
Jorida Tabaku: Për një vit nuk ndodhi asgjë deri në momentin kur AKUM dërgoi një shkresë për Porto Romanos, çfarë ndodhi për vendin e depozitimit?
Emirjana Sako: Unë kam gjëra për të thënë për vendin e depozitimi në Porto Romano, ka qenë gangrenë. Durrësi ka shpëtuar nga kjo gangrenë pasi ky venddepozitim është kthyer në një park publik. Nuk kam pasur vendimmarrje direkte se kërkesa është bërë në 2018. Bashkitë nuk marrin dot masa për të mbyllur venddepozitimet. Kemi pasur kërkesë nga Sharra për të depozituar pa kosto. Nuk ka marrëveshje kryetari i bashkisë me landfillin e Sharrës.
Jorida Tabaku: Sipas informacionit që keni sjellë dhe dokumentit të prokurimeve publike ka një procedurë negocimi… E keni justifikuar me emergjencën.
Emirjana Sako: Nuk është e vërtetë!
Jorida Tabaku: Pse pritet një vit e gjysmë për të bërë këtë procedurë ndërkohë që mund ta kishit bërë me para
Emirjana Sako: Se duheshin bërë të gjithë hapat. Gjithë procedura është publike. Unë jam autoritet kontraktor, në bazë të dokumentave është bërë vlerësimi dhe ngritja e grupit të punës.
Jorida Tabaku: Rama thotë që na u desh të rrisnim presionin në Bashkinë e Durrësit, e ka thënë Rama. AKUM ka hapur një procedurë ndërkohë për “Ecopark”. Kompania “Casanoca Hernandez and Architects”. Keni dijeni që kanë pasur marrëveshje me kompaninë e inceneratorëve.
Emirjana Sako: Duhet ta verifikojnë autoritetet përkatëse. Ne nga 16 ha sipërfaqe turpi kemi një park në zemër të qytetit dhe fusha sporti. Ju ftoj ti vizitoni.
Jorida Tabaku: Zonja Sako më vret sytë kur vidhet buxheti i shtetit. I premtuar koncensionarit të Tiranës që do i jepnit kontratë 10 mln euro?
Emirjana Sako: Unë zbatoj ligjin nuk bëj asnjë premtim.
Jorida Tabaku: Me cilin akt keni depozituar në Sharrë mbetjet?
Emirjana Sako: Si mendoni që plerat duhet të rrinin në rrugët e Durrësit?
Jorida Tabaku: Me qetësi! A kishit presion nga kryeministri?
Emirjana Sako: Jo nuk kisha.