Juventus, tani vlen 1 miliard euro, Sarri ka një armatë të frikshme nën urdhra

0
2

 

 

Mauricio Sarri ka një “bandë” të denjë për të bërë tifozët të ëndërrojnë, një “tank” me nëntë zero, më saktësisht me vlerë prej 1 miliard e 19 milionë eurosh.

Këtë e konfirmon instituti i statistikave “CIES”, mbi të cilin bazohen edhe shumë të dhëna të FIFA-s, mbi studimet e sportit më të bukur në botë. Sigurisht që këto të dhëna janë teorike, jo praktike, pasi siç dihet, futbolli është gjithçka përveçse një shkencë ekzakte, por nëse realisht ky grup aktual ka këtë vlerë, apo ndoshta më shumë sesa kaq (çmimet llogariten në varësi të tregut, jo të kërkesave të klubit), duhet ta tregojë në fushë, në sezonin që pritet të fillojë e në vazhdim.

Gjithsesi, mjafton të lexosh shifrën prej 1 miliard e 19 milionë eurosh për të kuptuar “forcën e zjarrit” që ka në dispozicion trajneri i ri bardhezi, i cili gjithsesi duhet të nisë të bëjë edhe disa vlerësime më të thella, duke qenë se mes 29 lojtarëve, disa duhet të largohen, por kjo nuk do të thotë se Juventusi është ngopur me blerjet sivjet. Përkundrazi, drejtori Fabio Paratiçi, pas mbylljes së kontratës me Matajs De Ligtin (së bashku me Ronaldon kap vlerën më të lartë të grupit, prej 110 milionë eurosh), tani do të nisë edhe një punë më të vështirë për të spastruar disa emra si për shembull Sami Khedira, Gonzalo Higuain, apo ndoshta edhe Mario Manxukiç, Moise Ken apo edhe Zhoao Kanselo e deri te mundësia e Paulo Dibalës.