Analisti Lorenc Vangjeli ka komentuar lëvizjet e drejtuesve politikë në qarqe të Partisë Socialiste, vendime të marra një ditë më parë ne mbledhjen e Kryesisë në selinë rozë. Këto ndryshime, Vangjeli i konsideron si strategji të kryeministrit Edi Rama për të mbajtur të bashkuar PS-në.
Në arsyetimin e tij, Vangjeli u shpreh në një intervistë se pragmatizmi i Ramës e dërgon ministren Elisa Spiropali drejt debatit politik në Kuvend. Sipas Vangjelit, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali është ylli në ngjitje i PS-së.
“Rama është njeriu që i mban të gjithë së bashku dhe në mungesë të tij nuk do ishte çudi që Partia Socialiste të kishte po të njëjtën histori si PD. Sipas shprehjes, sa më shumë ndryshon aq më shumë është e njëjta gjë.
Pikërisht mbi këtë arsyetim, pragmatizmi i Ramës çon Elisa Spiropalin, yllin në ngjitje të socialistëve, në Parlament. Rama vetë duke u munduar të krijojë një distancë higjienike mbi parlamentin, duke dashur të jetë larg, duket se i ka deleguar zonjës Spiropali përfshirjen e tij” – u shpreh Vangjeli.
Duke u ndalur në diskutimet e Kuvendit, Vangjeli tha se Spiropali i ka fituar të gjitha debatet me Sali Berishën. Kjo ka bërë që Berisha tashmë t’i evitojë përballjet me ministren në Parlament.
“Nëse në fillim (Spiropali) i fitonte duelet e drejtpërdrejta me gojën më të shqyer politike në vend, që është ajo e Sali Berishës, sot nuk mund ta themi më të njëjtën gjë sepse nuk ka të tillë. Berisha shmanget” – e përmbyll Vangjeli.