“Ka patur sjellje korrekte!”- Gjykata e Fierit liron ish-kreun e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela!

0
92
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, u lirua gjatë ditës së djeshme nga qelitë e Burgut të Fierit. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier e miratoi kërkesën e Çelës për të përfituar lirimin me kusht nga burgu, pasi kishte vuajtur më shumë se 2/3 e dënimit.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e dënoi Çelën me vendim të formës së prerë më datë 4 shkurt 2022 së bashku me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Kolegji i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsion dhe Krim të Organizuar vendosi lënien në fuqi të Vendimit nr. 60, datë 19.09.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, ku Jaeld Çela u dënua me 3.4 vite burg, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Prokuroria e Krimeve të Renda lëshoi një urdhër-arrest për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës me datë 22 nëntor 2017, që në fakt policia nuk mundi ta arrestonte, pasi ai nuk u gjet në banesë, ndërsa u tha se ishte larguar jashtë vendit. Çela, iu shmang drejtësisë për më shumë se dy vite e gjysmë. Gjatë kësaj kohe, çdo përpjekje për arrestimin e tij, dështoi.

DORËZIMI DHE LIRIMI

Ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës vendosi të dorëzohej Policinë e Tiranës me 16 maj 2020 dhe që nga ajo ditë ai ka qëndruar në burg, deri mesditën e djeshme, kur u lirua me kusht. Ish-kryepolici i Vlorës po vuante dënimin në Burgun e Fierit, së bashku me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Për këtë shkak, lirimi i tij u gjykua nga Gjykata e Fierit, nën juridiksionin e secilës gjendet burgu i këtij qyteti. Gjykata e kishte dënuar Çelën me 3.4 vjet burg. Por, duke përfituar nga masa e sigurisë me burg, ku gjatë paraburgimit një ditë qëndrimi në izolim llogaritet si një ditë e gjysmë burg, rezultoi se ai i kishte kryer tashmë 2/3 e dënimit dhe mund të përfitonte liri me kusht. Aktualisht, Çela kishte kryer 30 muaj burg dhe i kishin mbetur ende pak më shumë se 7 muaj të tjerë për të vuajtur dënimin.

Por, për shkak të sjelljes korrekte në burg dhe vuajtjes të më shumë se 2/3 e dënimit, gjykata vlerësoi se Jaeld Çela duhet të kthehet pranë familjes, ndërkohë që do të mbikëqyret nga Drejtoria e Shërbimit të Provës. Jaeld Çela ka drejtuar Policinë e Vlorës nga shtatori 2014, deri në prill të 2017-s. Ndërsa më parë, ka drejtuar Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, si dhe ka shërbyer për më shume se 17 vite ne radhët e Policisë se Shtetit.

Jaeld Çela u emërua në krye të Policisë së Vlorës, kur ministër i Brendshëm ishte Saimir Tahiri. Ndërkohë, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, vazhdon të vuajë dënimin me 40 muaj burg, në Institucionin e Vuajtjes së Dënimit Fier. Si Tahiri ashtu dhe Çela, kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë dhe kërkojnë pafajësi për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Çështja e tyre ende nuk është marrë në shqyrtim ende nga Gjykata e Lartë.

Zjarr Tv Ad