Ish-kryebashkiaku demokrat i Mallakastrës, Agron Kapllanaj, ka reaguar pas deklaratave të zëdhënëses së PD, Floriana Garo, e cila publikoi disa dokumente sipas të cilave dëshmonin tenderat që ka përfituar ai nga qeveria e Ramës.
Kapllanaj i është përgjigjur lëtyre akuzave duke thënë se ish-kryeministri Sali Berisha është fshehur pas një gruaje për të bërë sulmet e tij.
Sipas Kapllanajt, ka ikur koha kur Berisha dhe familja e tij u vinin gjoba bizneseve për çdo tender.
”Sali Berisha ka ngatërruar adresë. Mendon se jeton ende në kohën kur ai dhe familjarët e tij u vinin gjoba bizneseve për çdo tender. Tani që kjo kohë ka mbaruar, numërojnë tenderat publikë si lek gjobash që u mungojnë në arkën e shtëpisë. Ne fakt kjo tregon qartë për karakterin e tyre. Për frikën që kanë për milionat e fshehura në tregtinë e boronicave, të lojrave të fatit apo dhe dyqane në bllok.
Për këto dhe të tjera akte të paligjshme në kurriz të shqiptarëve është shpallur familjarisht non grata. Sali Berisha ndoshta e ka harruar se kur vinte gjoba me pushtetin e tij dërgonte familjarët për ti mbledhur. Ndërsa tani kur qajnë familjarisht për gjobat e pamarra nxjerrin gratë e botës e fshihen pas fustanit të tyre”, shkruan Kapllanaj.