Ka shkuar në 7 bilanci i viktimave të shkaktuar nga një ortek bore që 5 ditë më parë goditi hotelin Rigopiano në provincën e Peskarës.
Këtë pasdite forcat e shtëpimit kanë mundur të nxjerrin nga gërmadhat trupin e pajetë të një gruaje, gjendur në një dhomë mes kuzhinës e zonës bar të hotelit. Ndërsa gjatë ditës së djeshme është nxjerrë nga gërmadhat trupi i pajetë i një emigranti senegalez, punonjës sezonal në këtë strukturë.
Bilanci provizor i kësaj tragjedie është 7 viktima, 11 të mbijetuar e 23 persona të humbur.
Operacionet e shpëtimit vazhdojnë pa ndërprerje në kushtet e një moti ekstrem që prej disa ditësh ka përfshirë të gjithë Italinë. Gërmohet me lopata e me sonda, pa mundur të operohet me mjete mekanike për shkak të kushteve aktuale të terrenit, e me shpresën se mund të gjejnë nën gërmadha ende të mbijetuar.
Ndërkohë Prokuroria e Peskarës ka nisur hetimin ndaj kësaj ngjarje për të verifikuar arsyet e vonesës së evaukimit të personave që gjëndeshin në këtë hotel, vonesës së mbërritjes se mjeteve për pastrimin e rrugëve, por dhe mbi të gjitha po përpiqet të hidhet dritë mbi terrenin e papërshtatshëm në të cilin ishte ndërtuar Hoteli Rigopiano, që sipas specialistëve ishte një ndërtim i paligjshëm ndaj të cilit vite më parë ishte nisur një proces hetimor.