Nga Artan Fuga
Dhe thonë pastaj se shqiptarët nuk kanë ndërgjegje politike!!! Shihni si i paskan bërë glasën zgjedhjeve në pushtetin vendor në Durrës, Shkodër, Lushnjë, Rrogozhinë e më tej ndofta! As kanë dashur t’ja dinë për votimet!
Dhe kanë të drejtë! Kanë vajtur të marrin pjesë vetëm punonjësit e bashkisë, punonjësit e shërbimeve të bashkisë, puntorët e sipërmarrjeve që marrin tendera nga bashkia, kryefamiljarët që marrin ndihmë sociale nga bashkia, si edhe përfituesit nga bashkia militantët e thekur, si edhe një bërthamë opozitarësh!
Me një fjalë ka votuar bashkia për bashkinë! Me një fjalë votuesit kanë thënë : Ikni ore tutje me të gjithë budallalliqet tuaja! Ju ka dalë boja!
Nuk gënjehemi më as nga mediat, as nga propaganda, as nga llokoçitjet tuaja orale! Ai që fiton rrezik se do të ketë vetëm e shumta 10 deri 13 përqind të votave të qytetit!
Më tragjike sesa gjendja e pushtetit në qytetet që janë pushtuar nga rusët në Ukrainë ! Besoj se edhe atje do të ketë pasur 15 përqind rusë që votojnë për okupatorin! Kjo është demokracia lokale! Ky është besimi te partitë dhe përfaqësuesit e tyre! Ja çfarë i keni punuar Shqipërisë!
Do ketë moral ndokush të thotë se përfaqëson popullsinë e rrethit, se është pushteti legjitim i rrethit?
Shqipëria braktiset nga popullsia!
Media braktiset nga audiencat!
Shkolla braktiset nga studentët!
Politika braktiset nga votuesit!
Besimi te institucionet gradualisht po shkon drejt zeros!