Kadastra Shqiptare ,e ka kthyer tashmë në traditë që në prag të festive fetare, të pajisë me dokumentet e pronësisë objekte fetare, kjo ndodh sepse shumica e objekteve fetare të të gjitha Komuniteteve fetare, të ndërtuara rishtazi pas vitit 1991, janë ndërtuar pa leje ndërtimi.
Kësaj radhe, në ditën e Krishtlindjes, drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame, i ka dorëzuar imzot Angelo Massafres, Ipeshkvi i Dioqezës Shkodrës, certifikatën e legalizimit të Kishës së Koplikut dhe “Muzeut kundër g*enocidit Shkodër” ndërtuar në marrëveshje me Ministrinë e Kulturës nga Provinca Françeskane, “Zonja Nunciatë”.
Lame tha se “është absurde që shteti shqiptar nuk ka qenë në gjendje që të pajisë me leje që përpara ndërtimit të paktën objektet fetare, duke bërë që të gjendemi përpara nevojës së legalizimit edhe për shtëpitë e Zotit”.
Me kishën e Koplikut dhe muzeun e Franceskanëve, shkon në 162 numri i objekteve të legalizuara të Komunitetit Katolik, ku përmenden kisha, manastire dhe objekte strehimore që kujdesen për shtresa në nevojë. Kisha e Koplikut u ndërtua tërësisht e re pas vitit 1991.