Kadri Veseli kërkon pezullimin e taksës ndaj Serbisë për 120 ditë

0
3

Kryetari i PDK-së dhe njëherësh kryparlamentari Kadri Veseli ka kërkuar që të bëhet pezullimi i taksës për 120 ditë në mënyrë që t’i jepet mundësi dialogut dhe të mos vihemi në situatë që të dalim kundër interesave strategjike të SHBA-së dhe partnerëve perëndimor.
“Tarifa ka qenë një vendim i drejtë dhe sovran i shtetit në kushtet kur Serbia po ushtronte një agresion brutal diplomatik ndaj Kosovës. E kemi vendos dhe i qëndroj në mënyrë pragmatike kësaj vendimmarrje deri në fund. Por, në rrethanat e një kërkese të qartë të SHBA-së dhe perëndimit për t’i dhënë një mundësi dialogut historik me qëllime të qarta perëndimore, qëndrimi im është publik: Ne duhet ta pezullojmë taksën vetëm në një periudhë të caktuar. Pezullimi 120 ditësh ka si qëllim që Kosovën të vendoset në një anë me SHBA-të dhe perëndimin, si reflektim i përbashkët për t’i dhënë mundësi Serbisë për një marrëveshje historike të përbashkët”, ka theksuar Veseli në fjalimin e tij në manifestimin e 49 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës, raporton RTKlive.

Ai ka thënë se nuk dëshiron dhe nuk do të lejojë askënd që në politikën tonë SHBA-të dhe BE të jenë kundër nesh, e aq më pak të jenë në anën e Serbisë.

“Me tarifë ne nuk duhet të japim përshtypjen se po e ndalim dialogun, se po ndalim rrugëtimin strategjik që ka perëndimi në Ballkan për ndaljen e influencës ruse. Ky është gabim. Në rrugëtimin tim tredekadësh politikë e di një fakt se populli im ka fituar çdo herë kur ka qenë me SHBA-të. Qëndrimi im është i qartë: Në asnjë mënyrë nuk duhet të cenojmë parimet e shtetit tonë, dinjitetin tonë si shtet, por njëkohësisht duhet të jemi fleksibil dhe të mos e vëmë në pikëpyetje partneritetin me aleatin më të madh – SHBA-të. Nuk mbrohet Kosova dhe sovraniteti i saj duke e injoruar Amerikën dhe interesat e saj strategjike në rajon. Këto janë edhe interesa tona kombëtare. Të vetmuar nuk do të arrijmë askund”, ka shtuar kryeparlamentari.