Kadri Veseli rizgjidhet kryetar i PDK-së

0
18
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Rreth 800 delegatë të Partisë Demokratike të Kosovës votuan të dielën unanimisht për t’i dhënë Kadri Veselit një mandat të dytë në krye të partisë.

Në votimin e hapur që u mbajt me rastin e Konventës dy ditore zgjedhore, nuk pati vota kundër apo abstenime.

Me marrjen e besimit, Veseli bëri thirrje që ndaj tij dhe lidershipit të partisë të kërkohet kurdoherë llogari.

Veseli: Kërkoni përgjegjësi prej meje, kërkoni lidership, kërkoni vizion, kërkoni që në PDK të mos ketë dilema, të mos të ketë paqartësi, të mos të ketë abuzime, por të ketë drejtim të qartë për vendin.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, tregoi se me qëndrimet e tij përbashkuese, Veseli meriton të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës.

Kuçi: Si kryetar i Kuvendit ka treguar një qetësi dhe pjekuri politike, do të thoja ka parë edhe në kohën kur ka pasur gaz lotsjellës. Si udhëheqës i koalicionit qeverisës ka meritat kryesore për funksionimin dhe mbajtjen gjallë të këtij koalicioni. Duke votuar Kadri Veselin, të gjithë ne po e votojmë Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës që do të jetë nga PDK.

Ish-shefi 52-vjeçar i Shërbimit Informativ të Kosovës e drejton PDK-në nga maji i vitit 2016, kur paraardhësi dhe bashkëthemeluesi i saj Hashim Thaçi dha dorëheqjen pas zgjedhjes në krye të shtetit.

Për karrigen e kryesuesit të PDK-së nuk kishin shfaqur interes rivalë të tjerë.

Konventa e PDK-së do të mblidhet edhe të hënën për të caktuar strukturat e reja drejtuese pas një procesi të gjatë zgjedhor ku morën pjesë mbi 29 mijëra anëtarë, si edhe do të miratojë programin e vet politik.

 

Zjarr Tv Ad