Seanca ndaj Laert Haxhiut në Gjykatën e Posaçme është shtyrë pas një debati mes avokatit të tij, Detar Hysi dhe relatorit, Erjon Cela.
Sipas gazetares, Klodiana Lala, avokati Hysi kërkoi që gjykata të pranonte kërkesën e tij për heqjen dorë nga përfaqësimi i Laert Haxhiut, duke argumentuar se ky i fundit nuk dëshiron që të mbrohet nga avokati Detar Hysi.
Po ashtu sipas avokatit edhe familjaret e 32-vjeçarit nuk janë dakord që ai të përfaqësojë Laert Haxhiun.
Seanca gjyqësore ndaj Laert Haxhit është shtyrë për datën 1 dhjetor, ora 14:30.
Trupa gjykuese e kryesuar nga Erjon Cela relatoi se Hysi do të qëndrojë në gjykatë deri sa avokati kryesisht Elvis Gorishti të jetë njohur me aktet e çështjes objekt gjykimi sipas kodit të procedurës penale.
Gjykata po ashtu ka marrë vendim që procesi gjyqësore të vijoj në mungesë të Laert Haxhiut pasi ky i fundit ka refuzuar marrjen dijeni në burgun grek ku ndodhet i ndaluar në pritje të ekstradimit të tij drejt vendit tonë.
Gjyqtari Erjon Cela në fund relatoi që avokati Hysi në seancën e radhës duhet të sjellë një prokurë të firmosur nga familjaret e Laert Haxhiut qe i heqin avokatit tagrat e përfaqësimit.
Gjithashtu duhet qe prokurorja e çështjes Doloreza Musabelliu të paraqes me shkrim përmbledhjen e provave shkresore për të jua vënë në dispozicion avokatëve.
Laert Haxhiu është marrë i pandehur dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga GJKKO për masakrën e Lushnjës në 2017, ku vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, por u shpëtoi shënjestra, Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjës.
GJKKO ka dënuar me burgim të përjetshëm Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, të shpallur fajtor për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, si dhe plagosjen e Bujar Turkut dhe Marius Xhepexhiut, në Lushnjë në 2017.
Në fakt, që pas masakrave të bujshme dhe vrasjeve demonstrative të bëra në Lushnje, Laert Haxhiu nuk u dyshua për asnjë nga krimet e zbardhura ditëve të fundit, përveç vrasjes së Elton Mermalit.
Në mesin e personave të pikasur nga Laert Haxhiu ishte dhe prokurorja e SPAK Doloreza Musabelliu e cila ka në dorë çështjen e e tij.
Kjo u mësua pas dëshmisë së Artan Tafanit.
I penduari i drejtësisë ka arritur të zbardhë dhe atentatin që po planifikohej ndaj prokurores së SPAK Doloreza Musabelli.
Tafani, pjesë e bandës së Laert Haxhiut ka deklaruar se po thurej plani për ‘të hequr qafe’ Musabelliun si dhe prokuroren e Lushnjës, Merita Selimi dhe avokatin Adriatik Doga.
“I kemi ndjekur. Laerti ka dashur të sulmojë Doloreza Musabelli, pasi ishte prokurorja e çështjes së tij në SPAK. Kjo prokurore kishte dënuar me burgim të përjetshëm shokun e Laertit Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin. I kemi mbajtur nën vëzhgim dhe familjet e tyre. Laerti, pretendonte se nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se kjo prokurore po i bënte gropën. Atij ju fiksua që ta vriste prokuroren ose ndonjë njeri të afërm të familjes.
I kemi bërë foto prokurores, burrit avokat dhe fëmijëve. Laerti tha se fotot e fëmijëve duhet më parë t’ia nisnim burrit të prokurores për të parë se çfarë ndikimi dhe reagimi do sillte”, ka deklaruar i penduari Tafani.
Ushtari i Laert Haxhiut, i cili u arrestua më 23 Shtator në një hotel pasi grabiti një exchange në Astir më 24 Qershor, zbuloi 6 vrasje të kryerja nga grupi i autorit të masakrës së Lushnjës.
Vrasjet e kryera nga grupi i Laert Haxhiut, sipas policisë:
Çajup Selimi, e ndodhur më datë 01.06.2021, në qytetin e Tepelenës, me autorë të dyshuar:
– Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë;
– Artan (Marjus) Tafani, 39 vjeç, lindur në Lushnjë;
– Erisiano Abedini, 32 vjeç, banues në Tepelenë;
– Lulzim Spahija (Arapi), 28 vjeç, lindur në Lushnjë;
– Ligor Romacka, 31 vjeç, lindur në Korçë;
– Bujar Abedini, 49 vjeç, banues në Tepelenë.
Fridman Xhaferaj, e ndodhur më datë 02.06.2021 (konstatuar në datë 13.06.2021), në qytetin e Korçës, me autorë të dyshuar:
– Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnje;
– Artan (Marjus) Tafani, 39 vjeç, lindur në Lushnjë;
– Lulzim Spahija (Arapi), 28 vjeç, lindur në Lushnjë;
– Ligor Romacka, 31 vjeç, lindur në Korçë;
– Maringlen Topuzi, 37 vjeç, banues në Pogradec;
– Bledar Berberi, 34 vjeç, banues në Pogradec;
– Idriz Manej, 58 vjeç, lindur në Ktosh.
Alban Semaku (Elton Mermali), e ndodhur më datë 16.10.2021, në qytetin e Peqinit, me autorë të dyshuar:
-Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë;
-Artan (Marjus) Tafani, 39 vjeç, lindur në Lushnjë;
-Lulzim Spahija (Arapi), 28 vjeç, lindur në Lushnjë.
Albi (Dijonist) Bashaliu, për gjakmarrje e ndodhur më datë 27.12.2021, në fshatin Gjocaj, Peqin, me autorë të dyshuar:
– Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë;
– Artan (Marjus) Tafani, 39 vjeç, lindur në Lushnjë;
– Lulzim Spahija (Arapi), 28 vjeç, lindur në Lushnjë;
– Lorenc Lala (alias Ilir Lamberti, alias Kristian Lala), 36 vjeç, banues në Lushnjë;
– Enriko Xhahysa, 23 vjeç, banues në Gjocaj, Peqin;
– Bledar Berberi, 34 vjeç, banues në Pogradec.
Gjithashtu, nga hetimet e kryera ka dyshime se Laert Haxhiu është organizator dhe porositës i 2 vrasjeve të kryera në Athinë:
• Lulzim Qorri, e ndodhur në dhjetor 2018, në rrugën “Kritis”, sheshi “Omonia” Athinë;
• Dikenc Halili, e ndodhur në tetor 2021, në lokalin e tij, në lagjen “Kriso”, Athinë.