Gjithçka është zhvilluar shumë shpejtë, brenda një afati kohor prej pak më shumë se një muaji. Nëse mund ti quajmë një seri rastësish të gjitha zhvillimet brenda Partisë Demokratike; nga data 25 prill kur humbën zgjedhjet, deri në 19 maj kur u publikuar deklarata e Sekretarit të Shtetit Blinken, e më pas; deri në rizgjedhjen e Lulzim Bashës kryetar në datën 16 qershor, atëherë kemi të bëjmë me ‘rastësinë perfekte’, e cila për shumëkënd nuk ekziston.
Gjithsesi, le ti marrim gjërat me radhë, pa u merakosur shumë për fatin personal të Berishës në lidhje me ‘non grata-n’ e Blinken. Menjëherë pas daljes së rezultatit, ndaj kryetarit të Partisë Demokratike u shtuan zërat dhe presionet për të dhënë dorëheqjen, pasi ishte shndërruar në ‘humbës kronik’. Mes këtyre zërave ku bënin pjesë edhe eksponentë të lartë të PD-së, kishte më së shumti nga ata që pranonin ‘masakrën zgjedhore’ të realizuar nga Edi Rama, por gjithashtu fajësonin Lulzim Bashën si të paaftë për ta ndalur dhe denoncuar në kohë atë.
Të tjerë përqendroheshin te fushata false dhe e fokusuar te figura e tij personale, si dhe fajësonin kaosin dhe përçarjen që karakterizonte opozitën nën lidershipin e tij gjatë fushatës elektorale. ‘Të tjerë’ të tjerë, edhe më ekstremist, vazhdonin që të këmbëngulnin për një pakt të fshehtë, apo ‘pengmarrje’ të Bashës prej Ramës, e cila sipas tyre ka nisur që në vitin 2017 menjëherë pas ‘Çadrës’. Pikërisht në këtë kontekst të zgjedhjeve të humbura, si dhe të shpalljes ‘non grata’ të Berishës më pas, le të ndjekim transformimet kameleonike të Lulzim Bashës.
Në mbledhjen me kryetarët dhe sekretarët e degëve në rrethe të datës 3 maj të këtij viti, Lulzim Basha, u deklarua i prerë se PD nuk mund të njohë një proces zgjedhor si ai i 25 prillit. ‘PD nuk mund të njohë një proces zgjedhor si ai i 25 prillit. Mos bini në kurthin e kundërshtarit. Mblidhni faktet e manipulimeve. Javën e ardhshme do të nis turne në çdo degë të PD-së’, deklaroi ai. Gjithashtu kreu i PD premtoi se, ‘javën e ardhshme do të nisë një turne në çdo degë të PD nëpër Shqipëri, për t’u njohur nga afër me këto prova’. Ky është kameleonizëm për të mbijetuar, edhe kur je vetë autor i fatit dhe fundit tënd!
Ndërkohë në këtë situatë, Berisha, publikisht i mëshoi vetëm ‘masakrës’ dhe kërkoi bërjen urgjente të dosjes me krimet zgjedhore, për t`ua prezantuar ndërkombëtarëve siç veproi vetë në 2001-shin. Por e vërteta është se atëherë nuk foli për rolin e Bashës, pasi siç deklaroi më pas, po priste edhe raportin përfundimtarë të OSBE-ODHIR për zgjedhjet. Ndërkohë që në PD mbizotëronte kjo frymë, pra se aksioni madhor do të ishte mobilizimi për të çmontuar vjedhjen e rezultatit sidomos përpara ndërkombëtarëve, në datën 19 maj, ra si ‘rrufe në qiell të hapur’ vendimi i Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, për të shpallur liderin historik të PD-së Sali Berisha ‘non grata’. Vetë Sali Berisha e tejkaloi me qetësi këtë zhvillim dramatik duke e quajtur të pakuptimtë, pasi kishte 8 vite që ishte larguar nga çdo pozicion qeveritar e partiak dhe deklaroi, se ishte një çështje personale dinjiteti të cilën do ta zgjidhte në rrugë vetjake.
Ai la jashtë kësaj historie Partinë Demokratike, kërkoi fakte dhe transparencë dhe njëkohësisht nisi një proces juridik kundër Blinken në Paris. Por të mos harrojmë se më herët ai kishte deklaruar te ‘Çim Peka Live’, pasi u pyet për një rikthim në krye të PD-së që; Kurrë mos thuaj kurrë! Duket se deri këtu, çdo gjë është e qartë dhe e ndarë: Berisha një deputet i thjeshtë i dalë nga votat e 25 prillit i cili do të ndiqte çështjen e tij individualisht, kurse Partia Demokratike në rrugën e betejës që kishte shpallur Basha, për të faktuar ‘masakrën zgjedhore’ të Edi Ramës. Vetë Lulzim Basha menjëherë pas lajmit për shpalljen ‘non grata’, po në datën 19 Maj, doli me një deklaratë në të cilën pasi konfirmonte figurën historike të Berishës për PD-në dhe Shqipërinë pluraliste, kërkonte transparencë mbi vendimin e marrë nga Departamenti i Shtetit.
‘U njoha me keqardhje me vendimin e Sekretarit të Shtetit për ish Presidentin dhe ish kryeministrin Sali Berisha. Duke nënvizuar qëndrimin e z. Berisha, i cili pasi shpreh keqardhjen për vendimin dhe e konsideron atë pa asnjë bazë konkrete, bëj thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim.’, deklaroi Basha. Vini re!
Në 19 maj sipas Bashës, vendimi është ‘pa asnjë bazë konkrete’ dhe kërkon transparencë, fakte dhe dokumente. Ky ishte qëndrimi fillestar dhe publik i Bashës, ndaj ‘Çështjes Berisha’ dhe ky është njëkohësisht kameleonizmi i tij, për t`ja hedhur momentalisht njeriut që e bëri atë që është. Ndërkohë, të gjithë prisnin që ai të vazhdonte punën dhe të realizonte aksionin që kishte premtuar në mbledhjen, me kryetarët dhe sekretarët e degëve në rrethe të datës 3 Maj. Pra të niste turneun nëpër Shqipëri për të krijuar dosjen e ‘masakrës zgjedhore’, njësoj siç bëri Berisha kryetar partie në zgjedhjet e vitit 2001, duke nxjerrë zbuluar përpara ndërkombëtarëve masakrën zgjedhore të PS-së në atë kohë.
Dhe në fakt Basha e nisi një ‘turne’ dhe një aksion, por jo për të faktuar dhe denoncuar masakrën që bëri Rama me zgjedhjet, por për të kapur urgjentisht sa ishte ‘në gjumë’ Berisha, karrigen e kryetarit dhe për blinduar në krye të forumeve njerëzit e tij besnik brenda partisë. Kështu në mënyrë të papritur, u harruan zgjedhjet që ‘nuk do të njiheshin’ si dhe ‘kurthet e Ramës’. Kurse energjia e partisë u devijua në një proces të parakohshëm dhe me prapavijë malinje, siç ishte zgjedhja e kryetarit dhe forumeve drejtuese. Duket se gjumi i famshëm i Bashës këtë herë, kishte vënë ‘në gjumë’ vetë Berishën!
Pasi ‘u zgjua’, ky i fundit në disa studio televizive deklaroi se ishte ‘i habitur’ se përse partia në vend që të merrej me dosjen e ‘masakrës zgjedhore’, hyri në zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetarin dhe forumet! Gjithsesi Berisha ende nën ndikimin e ‘sirës Basha’, u shfaq personalisht në Pallatin e Kongreseve ditën e votimit në 13 qershor, ku u fiksua edhe një përqafim ‘i sinqertë’ dhuruar nga biri për babën politik, edhe pse ky i fundit ishte shpallur ‘non grata’. Ky ishte kameleonizëm disa ditor deri në daljen e rezultatit, për të mashtruar të gjithë ata demokratë që e duan Berishën edhe pa kushte!
Kështu Basha në datën 16 qershor u shpall kryetar me 81% të votave, kurse njerëzit e përgjithësisht të katapultuar prej tij në parti, morën postet më kyçe. Kurse tre ‘rivalët’ e tij (veçanërisht Agron Shehaj, që mori rreth 20% të votave), nuk morën asnjë post. Kjo gjë, kjo lloj hakmarrje brutale dhe jo parimore, nuk kishte ndodhur kurrë në këtë forcë politike që nga themelimi, pavarësisht nga debatet dhe përçarjet e mëdha brenda llojit.
Transformimet kameleonike të Bashës nisën të shihen nga të gjithë, pikërisht pas blindimit në karrigen e kryetarit dhe sigurimit të Vulës së partisë. Menjëherë pas zgjedhjeve në PD, në 30 qershor mbërriti në Tiranë Ndihmës Sekretari Amerikan për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker (Filip Riker), i cili pas një takimi me Ramën bujti në selinë e PD-së. I shoqëruar edhe nga ambasadorja Yuri Kim, u prit në hyrje nga Sekretari i ri i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi dhe deputetja, Jorida Tabaku, për tu bashkuar më pas me Bashën në një takim që zgjati 50 minuta. Edhe pse nga burime u tha se ishte diskutuar për ‘çështjen Berisha’, çdo gjë u mbajt e fshehtë, deri në një prej mbledhje të fundit këtë vjeshtë të kryesisë së PD-së, të zhvilluar nën vlagën e ‘Foltores’.
Kurse ‘Kameleoni’ morri ngjyrën e heshtjes, më të preferuarën prej tij deri tani!
Basha, i cili në deklaratën e 19 majit kishte kërkuar transparencë dhe fakte nga amerikanët për Berishën, që atëherë vetëm ka heshtur. Fiks pas një muaji në 30 korrik, në selinë e PD-së rishfaqet ambasadorja Kim. Pas një takimi kokë më kokë me kryetarin e rikonfirmuar të PD-së ajo deklaroi se, ‘do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu’. Dukej qartë se gjendeshim përpara një presioni brutal ndaj PD-së, por nuk u mësua kurrë se çfarë ishte folur realisht në këtë takim. Vetë Basha sërish nuk u prononcua, të paktën ‘për barin’ që ju ishte ofruar demokratëve. Kameleoni po mbante sërish ngjyrën e tij më të preferuar shpëtuese, atë të heshtjes!
Por për këtë takim ka folur Berisha i cili do të deklaronte se Basha i ka thënë, se sërish i ka kërkuar ambasadores fakte dhe transparencë. Vetë Basha nuk e ka mohuar kurrë këtë bisedë me Berishën, por në një mbledhje të kryesisë së PD-së duke u mbrojtur përball zërave që i kërkonin llogari për vendimin anti-statutor ndaj Berishës, tha se së bashku me Jorida Tabakun dhe Gamend Bardhin ishin njohur me dokumente për këtë çështje, gjatë takimin të 30 qershorit me Ndihmës Sekretari Amerikan, Philip Reeker. Nëse Basha qenka njohur me fakte konfidenciale që në 30 qershor, përse i ka thënë Berishës në 30 korrik se i kishte kërkuar fakte ambasadores Kim?! Nuk ka faj Basha, por kameleonizmi, si mënyrë jetese dhe karriere të cilën ja kanë pranuar dhe falur të gjithë ndër vite, përfshirë edhe vetë Berishën!
Dhe kështu mbërrijmë në datën 9 shtator, kur Basha njoftoi përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentarë. ‘Berisha ka bërë të qartë se kjo është çështje personale e tij dhe ku PD dhe grupi parlamentar nuk duhet të përfshihen. Për të shmangur çdo keqkuptim kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimin të kërkesës ligjore për transparence dhe zbardhjen e çështjes, Berisha nuk do jetë anëtarë i grupit parlamentar i PD’, deklaroi ai. Pra Basha i 19 majit që kërkonte transparencë dhe fakte nga amerikanët ishte kameleonizuar në Bashën që merrte vendime personale, pa i kaluar në forumet që e zgjodhën kryetar edhe pa fakte. Kjo ishte një ‘ngjyrë’ ekskluzive për amerikanët dhe ambasadoren Kim në veçanti. Në të njëjtën deklaratë Basha thotë edhe se; ‘Nga ana ime prej dy muajsh e gjysmë kam bërë të gjitha përpjekjet më intensive për gjetjen e një zgjidhje në lidhje me këtë çështje’. Pra tregoi se për 2 muaj rresht ka negociuar gjë që në fakt e hodhi poshtë me vendosmëri ambasadorja Kim pak ditë më parë, kurse Berisha e mohon sistematikisht në çdo ‘Foltore’. Këtu kemi të bëjmë me atë lloj kameleonizmi vulgar, që përdoret për të shpëtuarit nga një hall momental siç ishte ai i daljes në TV për të flakur Berishën nga partia që ‘i dhuroi’ në vitin 2005.
Por tani jemi drejt fundit të epokës ‘Foltorja’ dhe ngjyrat e mbijetesës, duhen ndryshuar sërish. Pas nisjes së ‘Foltores’, Lulzim Basha më së shumti ka heshtur, por edhe tani që ka nisur të flas disi, po përpiqet që ta nxjerrë këtë aksion si të vënë në shërbim të Edi Ramës. ‘Po kapesh me thonj pas Foltores’, i tha Ramës së fundmi në parlament dhe përmendi, edhe ‘llumin e të korruptuarëve në qeverisjet Berisha’. Mirë bën që i thotë këto sepse ka pasur llum dhe të korruptuar edhe në atë kohë, kur ka qenë vetë 3 herë ministër e kryetari i bashkisë së Tiranës… Por pse hesht si peshku në akuarium për plagët e rënda gati kanceroze brenda partisë nën lidershipin e tij, që po evidentohen ‘Foltore’ pas Foltoreje’?! Ky është kameleonizëm për t`ua hedhur gjithë shqiparëve anti-Ramë dhe veçanërisht, demokratëve të ndershëm dhe dilematik, që nuk janë ende të qartë për atë që po ndodh.
Për ta mbyllur gjithë këtë shkrim të gjatë për vetëm 6 muaj e pak pasazhe ‘kameleonizëm’, duhet të themi edhe: Kameleonizmi është fenomeni i përshtatjes, i të ndryshuarit ‘lëkurë’ sipas vendit dhe ambientit me synim për t`ja hedhur momentit dhe shpëtuar tani për tani nga rreziku. Nëse një kameleon e nxjerr, e vendos në dritë përball një sfondi krejtësisht të bardhë, sa më shumë ngjyra ‘përshtatjeje’ që ai të tentojë që të marrë, aq më shumë do të dekonspirohet. Është ‘Foltorja’ sfondi i bardhë dhe prozhektori i duhur, apo do të presim deri në zgjedhjet e vitit 2025?! Nga Poli Hoxha –