Numri i viktimave nga aksidenti në Rotterdam, ku një kamion përplasi një një grup njerëzish që po darkonin jashtë afër Roterdamit, ka shkuar në gjashtë.
Zëdhënësja e policisë Miriam Boers deklaroi për mediat se tashmë janë gjashtë persona të vrarë dhe shtatë janë plagosur. Ajo sqaroi se një prej personave të përfshirë në këtë aksident është në gjendje kritike për jetën.
Boers shtoi se është duke u hetuar ende, për të zbuluar shkaqet e aksidentit. Policia fillimisht përjashtoi mundësinë e një akti të terrorit. Një raport fillestar i aksidentit që ndodhi mbrëmë në Zuijndsedik, rreth 30 kilometra në jug të Roterdamit, tha se të paktën dy persona u vranë dhe disa u plagosën.
Sipas policisë, kamioni doli nga rruga e tij dhe u përplas me një grup njerëzish që merrnin pjesë në një Barbecue të organizuar nga një ekip lokal patinazhi.
Shoferi 46-vjeçar i kamionit me targa spanjolle nuk ka pësuar lëndime. Ai është arrestuar në vend dhe është dërguar në komisariat.
Boers sqaroi se shoferi nuk ishte nën ndikimin e alkoolit. Policia ka apeluar që dëshmitarët të ndihmojnë në hetimin e tyre.
Një zëdhënës i punëdhënësit të shoferit, kompania spanjolle e transportit El Mosca, i tha gazetës spanjolle La Verdad se kamioni u përmbys për të shmangur një përplasje me një furgon.