Belind Këlliçi është kandidati i parë zyrtar që do të hyjë në procesin e primareve për të kandiduar nën logon e koalicionit opozitar përballë Erion Veliajt për Bashkinë e Tiranës. Ai zbuloi mbrëmjen e sotme se e shpalli kandidaturën një orë pas firmosjes së marrëveshjes PD-PL.
“Nuk ka lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes. Unë kërkova paradite që të shpallja kandidaturë. Për mos i paraprirë marrëveshjes, kam pritur me deklaratën gati për ta bërë deri sa mbaroi konferenca. Nuk ka lidhje”, u shpreh deputeti.
Këlliçi u shpreh gjatë një interviste në “ABC News” se pret me padurim për të mundur Veliajn dhe për të marrë dretiimin e Bashkisë së Tiranës, duke shtuar se vendimin për të kandiduar e ka marrë në 10-ditëshin e fundit pas takimeve me demokratët.
“E kam ndarë mendjen dhe çështja e fundit që kam pasur problem është mandati. Unë kam derdhur shumë mund dhe djersë por gjykoj se ky është një moment historik për të rrëzuar një model që është krijuar me Erion Veliajn”, tha Këlliçi.