Kandidate për ambasadore në OSBE, Gjermeni seancë dëgjimore në Komisionin e Jashtëm: Përkushtimi dhe përgjegjshmëria, kryefjala e punës sime

0
80
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Eglantina Gjermenin, kandidate për ambasadore të Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë misionit të OSBE-së dhe organizatave ndërkombëtare në Vjenë, rezident.

I ftuar në këtë seancë ishte edhe sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Armand Skapi, i cili u shpreh se ky propozim vjen në pajtim me dispozitat e ligjit “Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”.

“Gjermeni ka një eksperiencë të gjatë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, si politike, ashtu edhe akademike”, vuri në dukje Skapi. Po ashtu, ai shtoi se kandidatja plotëson të gjitha kriteret dhe pritshmëritë për një performancë të suksesshme, në funksion të realizimit të objektivave të politikës së Jashtme, diplomacinë shumëpalëshe dhe veçanërisht në raport me OSBE dhe organizatat ndërkombëtare, me seli në Vjenë.

Kandidatja Eglantina Gjermeni vlerësoi se “Shqipëria po shërben si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023 dhe kjo është një arritje historike, siç është po ashtu dhe kryesimi me sukses i OSBE-së”.

“Përkushtimi, përgjegjshmëria dhe puna ime do të jenë maksimale për të thelluar bashkëpunimin me Organizatën e OSBE-së, pjesëmarrjen aktive në forume por edhe me shtetet anëtare të saj. Rritja e profilit të Shqipërisë dhe rolit aktiv të saj në OSBE, por edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, do të jenë fokusi i punës dhe misionit tim në Vjenë”, theksoi Gjermeni.

Mbledhja vazhdoi me pyetje-përgjigje dhe komente të ndryshme midis anëtarëve të komisionit dhe kandidates Gjermeni.

Zjarr Tv Ad