Nga Edmond Spaho
Tre Kryeministra dhe një Ministër të Jashtëm kishin shqiptarët në Ballkanin Perëndimor deri mbrëmë. Nga të katër këta vetëm Albin Kurti punon për interesat e shqiptarëve në rajon. Të tjerëve ju ka marrë koka erë dhe sillen si karavidhe në shërbim të Serbisë.
I pari iku mbrëmë. Kujtoi se ai dhe zoti i plotfuqishëm janë në Malin e Zi. Harroi kush e solli në krye të qeverisë dhe platformën që duhej të respektonte.
Në vend që të punonte për të zgjeruar influencen dhe të drejtat e shqiptarëve në Malin e Zi, punoi për interesat e Kishës Serbe dhe Serbisë. Punoi edhe për interesat e tij personale dhe të oligarkëve të Edi Ramës.
Si një politikan i pështirë përqafoi Ballkanin e Hapur kur Mali i Zi ishte një nga kundërshtarët më të vendosur të tij, pasi e di shumë mirë që pas kësaj iniciative fshihet hegjemonia serbe në rajon.
Do mbahet mend si i vetmi Kryeministër shqiptar që nuk vizitoi Kosovën dhe nuk tha një fjalë në favor të saj. Nuk e rrëzoi krimi i organizuar, e rrëzuan Vuçiçi dhe Rama me ato që i këshilluan të bënte. Bëre mirë që ike se vetëm telashe do hapje.
Rasti i Abazoviçit le t’i vlejë shqiptarit Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, i cili i drejtohet Kosovës sikur të jetë ndonjë vend andej nga Afrika Perendimore.
Sa për këtë tonin, ditë të vështira ka përpara. Jo vetëm nga përbetimi i opozitës për ta shporrur me protesta por edhe lufta me mullinjtë e erës që i ka hapur BE me amnistinë fiskale, legalizimin e kanabisit, portin e Durrësit dhe së fundi pasaportat e arta. Sa më shpejt të ikë aq më mirë për të gjithë shqiptarët.