Mbështetësit e pavarësisë bllokuan rrugët në disa pjesë të rajonit të Katalonjës, gjatë kohës që ministrat e qeverisë spanjolle zhvillonin një mbledhje në Barcelonë.
Vendimi për ta zhvilluar takimin e kabinetit në Barcelonë, erdhi disa muaj pasi udhëheqësit separatistë u burgosën pas përpjekjeve të dështuara për të shpallur pavarësinë e rajonit nga Spanja.
Kryeministri Pedro Sánchez dhe kreu katalan Quim Torra ranë dakord të enjten për të pasur një “dialog efikas”. Mediat vendore presin që numri i protestuesve kundër Madridit të rritet më tej në ditët në vijim.
Protestat në rajon u koordinuan nga grupi radikal i quajtur Komiteti për Mbrojtjen e Republikës. Pas fillimit të mbledhjes së kabinetit, pati përleshje midis policisë dhe protestuesve. Mbledhja e qeverisë u zhvillua saktësisht një vit pasi qeveria qendrore e Spanjës shpalli zgjedhjet e parakohshme në Katalonjë për të kundërshtuar vendimet e marra pro shkëputjes së rajonit.
Zoti Sánchez erdhi në pushtet në qershor si kreu i një qeverie të vogël socialiste. Kabineti vendosi në mbledhjen e së premtes të rrisë me 22% pagën minimale mujore nga 736 euro në 900 euro, vendim që do të hyjë në fuqi në janarin e ardhshëm.