“Ke pirë, ke bërë orgjira aty…”/ Irfan Hysenbelliu mbron Taulant Ballën nga akuzat e Berishës për suitën në “Prestige Resort”

0
103
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Pronari i “Prestige Resort” i kërkoi kreut të PD-së, Sali Berisha, që të faktojë akuzat ndaj kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla se e ka përdorur suitën në hotel për veprimtari të paligjshme.

Në një deklaratë për mediat, “Hysenbelliu Group”, i Irfan Hysenbelliut, i kërkoi ish-kryeministrit Berisha që të bëjë publike faktet dhe autorët për korrupsionin me dy godinat e konfiskuara, që Berisha i përmendi në konferencën e përjavshme për shtyp, ku, mes të tjerave, u shpreh: “Në qoftë se shkon dhe vë tritol ndaj pronave të një pronari të mediave në mënyrën më demonstrative, pasi ke ngrënë, ke pirë, ke bërë orgjira aty…”.

Pronari i resortit, u shpreh se: “Duke respektuar qëndrimet politike të Berishës në emër të opozitës shqiptare dhe denoncimet e vazhdueshme që ai ka bërë kundër aktit të paligjshëm të qeverisë mbi “Prestige resort”, duhet të sqarojmë për opinionin publik se hoteli Prestige ka funksionuar mbi bazën e parimeve më cilësore të hotelerisë dhe turizmit, me kontrata të rregullta me agjencitë më të rëndësishme turistike perëndimore. Deklarojmë me përgjegjësi se gjatë funksionimit të tij, në hotel nuk është kryer kurrë asnjë veprimtari e jashtëligjshme, sikundër deklaroi zoti Berisha. Hoteli ka pasur standardet më të larta të sigurisë dhe është përzgjedhur për veprimtari të ndryshme nga mjaft institucione ndërkombëtare. E ftojmë z. Berisha dhe këdo tjetër të publikojë provat e pretenduara, ndërkohë që ne jemi të bindur se prova të tilla nuk ekzistojnë”, u shpreh pronari, që hodhi poshtë edhe akuzën se “Taulant Balla ka kaluar dy muaj dhe nuk ka paguar asnjë qindarkë në suitën presidenciale të resortit”, duke deklaruar se z. Balla ka qenë në resort, në disa aktivitete të organizuara nga grupi parlamentar i PS dhe si vizitor i personave të strehuar pas tërmetit të vitit 2019.

Kjo është hera e dytë që “Hysenbelliu Group” merr në mbrojtje Taulant Ballën.

Dhjetorin e shkuar, sipërmarrësi Irfan Hysenbelliu deklaroi se: “Jam ndjerë keq kur folën për mikun tim Taulant Balla, që thanë që ka ndejtur aty si pasha, që unë e quaj vëlla, jam ndjerë keq, se nuk jam nga ata njerëz, por ato njerëz që e nxorrën atë fjalë ishin të irrituar”, duke iu referuar deklaratës së Alfred Pezës, drejtor për mediat e ‘Focus Group”, për “Prestige Resort” se: “Taulant Balla këtë vend e ka pasur si shtëpinë e tij, vinte më shpesh se pronari i resortit dhe nuk e di ku është sot”.

‘Prestige Resort”, prej shtatorit 2022 ishte objekt i aksioneve të IKMT-së për zaptim të pronës publike, ndërtim të paligjshëm dhe dy javë më parë dy godina iu sekuestruan për t’u vënë në shërbim të Shërbimit Social.

Hysenbelliu ka akuzuar Ramën për goditje selektike dhe për shkak të qëndrimeve editoriale që mbajnë mediat e tij, televizione dhe gazeta.

Burimi:TPZ

Zjarr Tv Ad