KE premtoi 15 mln euro për tërmetin, Várhelyi: Paratë do të jenë shumë shpejt në terren

0
13

Shifra prej 15 milion eurosh e premtuar nga Komisioni Europian për Shqipërinë si ndihmë për tërmetin pritet të disbursohet së shpejti. Eurokomisioneri për zgjerim në BE, Olivér Várhelyi, u shpreh gjithashtu optimist për rezultate pozitive dhe të qarta edhe nga konferenca e donatorëve që do të mbahet me 17 shkurt në Bruksel.

Olivér Várhelyi: Më lejoni të them dy fjalë për tërmetin dhe konferencën e donatorëve. Së pari më lejoni të shpreh ngushëllimet e thella familjarëve që humbën të afërmit e tyre, miqtë e tyre. Ne do të qëndrojmë në krah të Shqipërisë dhe do të vazhdojmë të ndihmojmë me çfarë të mundemi. Ne do të organizojmë konferencën e donatorëve me 17 shkurt në Bruksel.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, do të jetë mikëpritësja por edhe ajo që do ta çelë këtë konferencë dhe ne presim që do të ketë rezultate shumë të mira. Do të flasim me të gjithë  shtetet anëtare, institucionet ndërkombëtare financiare, por edhe me organizatat ndërkombëtare që ato të mund të vinë dhe japin kontributin e tyre në mënyrë që të ketë një kontribut të konsiderueshëm, edhe ne vetë. Kemi biseduar dhe për shifrën 15 milion euro që kemi premtuar, do të jetë në terren së shpejti për të ndihmuar.

Në kuadër të vizitës në vendin tonë, zyrtari i lartë i BE-së tha se do të vizitojë Durrësin për të prekur dhe parë nga afër situatën e shkaktuar nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit.

Olivér Várhelyi: Nga këtu do të shkojmë në Durrës që edhe unë të mund të shoh dhe kuptoj se cilat janë pasojat e tërmetit në terren.