Deputeti demokrat Belind Këlliçi foli për arsyet përse ka dalë kundër ish-kryedemokratit Lulzim Basha, pavarësisht se ka qenë mbështetës i tij për shumë vite.
Ai tha në “Kjo Javë” se i dedikoi Bashës 10 vitet më të bukura të jetës së tij, pasi filloi në moshën 25 vjeçare kur ishte pjesë e shtabit të Bashës në Bashkinë e Tiranës dhe vijoi deri pak muaj më parë. Sipas tij, në vend që të merrte mirënjohje, u shpall armik dhe u pezullua nga PD.
“Sigurisht e kam mbështetur që kur është zgjedhur, kam qenë pjesë e shtabit të tij në bashkinë e Tiranës, dhe të punosh për 10 vite me një politikan, ta mbështetësh pa kushte, se i kam dedikuar vitet më të bukura të jetës time, kam hyrë 25 vjeç dhe jam 35 vjeç, dhe të zhgënjehesh plotësisht, dhe aktet politike të mos kenë asgjë të ngjashme me premtimet, është zhgënjim i madh.
Ky zhgënjim ka nisur në 2017 dhe në mënyrën si u përpiluan listat, vrasja e meritokracisë brenda PD, zhgënjimi si drejtues i forumit rinor dhe mospërfillja e asnjë të riut, dhe përjashtimi i tyre për të garuar, kulmoi më pas me refuzimin e pranimit të realitetit pas humbjes së zgjedhjeve.
Basha duhet të ishte larguar vetë në 2017 dhe të garonte më pas për kryetar të PD. ..
Vendimmarrja e Bashës shpesh ka qenë e nxitur nga një rreth i ngushtë këshilltarësh që nuk kanë lidhje me këtë forcë politike dhe nuk e duan atë. Kam besuar deri në sekondën e fundit që do t’i fitonim zgjedhjet e kaluara, por kur humb sërish dhe refuzon të pranosh humbjen dhe refuzon të bësh një analizë, si dhe kur i vendos objektiv kandidatëve të tu, në vend të marr minimumi një mirënjohje, shpallem armik i partisë”, tha Këlliçi.