“Keqardhje që bashkuan votat me Ramën”, Belind Këlliçi i përgjigjet Jorida Tabakut: Raporti jotransparent! Do të votoj KUNDËR sa herë që kolegët do të bëjnë shfaqje hipokrizie si kjo e fundit

0
258
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Deputeti Belind Këlliçi i është përgjigjur akuzave të Jorida Tabakut, e cila shprehu keqardhjen që sipas saj, disa deputetë të PD-së bashkuan votat me Edi Ramën për raportin e opozitës mbi inceneratorët.

Ju i keni ndjekur një pjesë të madhe mbledhjet. E keni parë që pavarësisht ndasive që mund të kemi, ishim në një mendje për opozitën në këtë komision. I kam dhënë hapësirë maksimale çdo kolegu për të dëgjuar mendimin e kujtdo. Kam ndjerë keqardhje që deputetë të PD bashkojnë votën me Edi Ramën për të mbrojtur aferën më të madhe korruptive. Nuk ka justifikim për askënd që nuk më erdhi raporti. Sjellja më normale është që të mos votojnë fare dhe jo kundër. Nuk gjej asnjë arsye pse duhet të bashkosh votat me Edi Ramën kundër punës tënde. Besoj se në këtë proces kemi pasur shumë pengesa dhe duhet të ishim në një zë. Duhet të ishim të gjithë bashkë në miratimin e këtij raporti. Nuk dua të përdor fjalën tradhti, por ndjej keqardhje që disa deputetë nuk ishin në sallë. Por ata që kanë votuar kundër shprehem qartë”, tha Tabaku.

Postimi i Belind Këlliçit:

Sapo jam njohur me deklaratën e koleges Jorida Tabaku mbi votën kundër të disa deputetëve demokratë për raportin e Komisionit Hetimor të Çështjes së Inceneratorëve. Ndjehem i keqardhur për qëndrimin e saj dhe e konsideroj dezinformim dhe dashakeqësi kundrejt qytetarëve dhe kolegëve opozitarë. Javën e shkuar gjatë seancës plenare, na u servir një raport i cunguar, i mangët dhe i padakordësuar me anëtarët e tjerë të komisionit, ku bëj pjesë edhe unë.

Kryetarja kishte detyrimin të informonte kolegët e komisionit në fjalë, përpara se raporti të hidhej në votë. Minimumi, anëtarëve të këtij komisioni i duhej marrë një mendim mbi raportin final. Për çështjen e inceneratorëve kam bërë publike dokumente autentikë, të cilët nuk u përfshinë fare në raportin e Zj. Tabaku. Vetëm një herë kur m’u kërkua dokumenti me nënshkrimin e Erion Veliajt, unë e vendosa menjëherë në dispozicion të komisionit.

Personalisht nuk kam marrë në dorëzim asnjë raport për ta lexuar përpara se të shprehem me votë. Nuk kam marrë kurrë asnjë informacion apo kërkesë për të depozituar pranë Komisionit Hetimor dokumentet dhe materialet të cilat i bëra publike gjatë punimeve të Komisionit.

Prandaj, sqaroj:

Kam votuar njëlloj kundër si për raportin e opozitës dhe për raportin e mazhorancës, sepse i konsideroj NUL të dy këto raporte.

Raporti i mazhorancës socialiste është një mohim në grup i gjithçkaje që është faktuar për aferën e inceneratorëve, ndërsa në raportin e opozitës në komision janë përzgjedhur e përfshirë vetëm ato materiale për të cilat dikush ka gjykuar se duhet të përfshihen. Si njëri dhe tjetri raport janë jotransparentë, prandaj unë do të votoj KUNDËR sa herë që kolegë majtas apo djathtas do të bëjnë shfaqje hipokrizie si kjo e fundit.

Nga facebook po i drejtoj një pyetje koleges Tabaku, meqënëse në bunker duhet vizë për të hyrë dhe ende sot deputetët kritikë ndaj ish Kryetarit nuk lejohen të futen brenda.

Kujt i shërben raporti juaj gjysmak?

Unë personalisht mendoj se Jorida Tabaku NUK i shërben dhe nuk i bashkon votat me Edi Ramën. Mirëpo di që ajo i shërben Bashës, dhe ai dihet tashmë mjaft mirë se kujt i shërben.

Së fundmi, dua të shfrytëzoj edhe njëherë këtë hapësirë komunikimi për t’i bërë thirrje SPAK-ut dhe të gjitha organeve të drejtësisë të marrin ne dorë këtë aferë që rëndon mbi shpatullat e qytetarëve shqiptarë. Ka ardhur koha që drejtësia të shprehet!

PS: Sa për merakun e transparencës dhe informimit të partnerëve tanë, në takimin me ish eurodeputetin Brok nuk e preka temën e Komisionit Hetimor të Inceneratorëve,  pasi vizita e tij nuk kishte fare të bënte me këtë çështje dhe cilido që pretendon ndryshe, gënjen opinionin publik. Sa për partnerët e tjerë, përfshirë dhe ata amerikanë, pa merak se janë të gjithë të qartë dhe të informuar mbi realitetin!

Zjarr Tv Ad