Kërkesa për shkarkim, nis seanca e Komisionit Hetimor, Meta i përpiktë në orar

0
6

Ashtu siç ishte përcaktuar, presidenti Ilir Meta shkoi sot në Komisionin Hetimor që është ngritur posaçërisht për shkarkimin e tij. Meta ishte i përpiktë me orarin e vendosur nga Kuvendi, duke shkuar aty para orës 10:00. Ka qenë Ulsi Manja, kryetari i këtij komisioni ai që hapi mbledhjen, ndërsa në unanimitet u ra dakord dhe rendi i ditës. Manja sqaroi edhe planin që do të ndjekë ky komision.

Kujtojmë se pas kërkesës së Kuvendit për të qenë i pranishëm para Komisionit, Meta iu përgjigj pozitivisht, duke konfirmuar kështu prezencën e tij, ku do të merret në pyetje në lidhje me zhdrekretimin e 30 qershorit si datë zgjedhje, për të vendosur një tjetër të re.

Meta do të shoqërohet nga Këshilltari për Sigurinë, Bahri Shaqiri, Këshilltari Ligjor, Bledi Dervishaj si dhe këshilltari për Mediat, Tedi Blushi.

Plani hetimor që do të ndjekë maxhoranca, i miratuar nga komisioni, në thelb synon hetimin e shkeljeve të mundshme të Kreut të Shteti në lidhje me zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, datë kjo që shkaktoi reagime të forta dhe përplasje mes subjekteve politike. Hapi i parë procedural që do të ndiqet është seanca dëgjimore me Presidentin e Republikës, në zbatim të nenit 112, pika 3 të Rregullores së Kuvendit.