Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dalë me një vendim të rëndësishëm ditën e sotme. E ndërsa ka bërë apel të fortë institucioneve të reagojnë lidhur me kërkesat e studentëve, që tashmë prej 9 ditësh janë në protestë masive për plotësimin e 8 pikave adresuara ministrisë dhe kryeministrit, presidenca bën me dije se Ilir Meta ka kthyer mbrapsht në Kuvend, ligjin për Buxhetin e vitit 2019.
Mësohet se motivacioni që ka detyruar Metën të bëjë këtë lëvizje është për t’i dhënë një mundësi plotësimit të kërkesave që kanë studentët e që lidhen direkt me buxhetin adresuar për ta.
Kujtojmë këtu se nga foltorja e Kuvendit deputeti i PS-së, Taulant Balla, deklaroi se nuk mund t’i bëjnë dot ndryshimet, pasi ligji është për dekret ne Presidencë.
Nisur nga kjo mesa duket, Meta ka bërë hapin e radhës, duke e kthyer mbrapsht në Kuvend ligjin për buxhetin 2019.
NJOFTIMI
Presidenti i Republikës SH.T.Z. Ilir Meta, duke ndjekur me shumë vëmendje situatën politike më të fundit në vend, si dhe duke vlerësuar konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, të cilat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si, të drejta, legjitime dhe të realizueshme, duke synuar interesin më të mirë në përmbushjen e objektivave sociale të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës, si dhe në garantimin e stabilitetit në vend, me dekretin nr. 10997, datë 13.12.2018 ka vendosur “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, me qëllim rishqyrtimin e tij.
Presidenti i Republikës, ka besimin e plotë se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik.