Kërkimet në Qipro, Turqia kritikon BE

0
3

Vendimi i Turqisë për të vijuar kërkimet për gaz dhe naftë në ujërat qipriote detyroi të hënën Bashkimin Europian që të ndërmarrë masa kundër vendit. BE ndërpreu dialogun e nivelit të lartë me homologët turq dhe kufizoi miliona dollarë fonde për Ankaranë. Kjo e fundit këmbëngul se do të mbrojë interesat e vendit.

Turqia do të vijojë aktivitetet për zbulimin e hidrokarbureve në Mesdheun Lindor pavarësisht masave ndëshkimore të Bashkimit Europian.

Ministria e Jashtme turke njoftoi të martën se vendi mbetet i vendosur për të mbrojtur të drejtat e turkoqipriotëve mbi resurset natyrore në ujërat ishullorë.

Diplomacia turke gjithashtu akuzoi Greqinë dhe presidencën qipriote se po abuzojnë pozicionin e tyre si anëtare të BE-së për qëllime maksimaliste.

Reagimi i Ankarasë vjen një ditë pasi kryediplomatët europianë vendosën të pezullojnë kontaktet e nivelit të lartë me homologët turq për reformat politike si edhe të ndërpresin qindra milionë euro financime në projekte agrikulturore dhe kreditimi.

Tensionet mes dy partnerëve prej muajsh janë nxitur nga operacionet turke për kërkimin e gazit dhe naftës brenda ujërave territorialë të Qipros.

Të dyja palët do të humbisnin nga një acarim i mëtejshëm i raporteve, duke ditur rolin e Turqisë si një nyjë e rëndësishme kufitare për ndaljen e emigrantëve të paligjshëm që tentojnë të vijnë në Europë, apo ndikimin në mbarëvajtjen e raporteve mes fuqive europiane dhe Lindjes së Mesme.

Vendi gjithashtu ka ambicien për t’u shndërruar në një superfuqi ushtarake, me ndihmën edhe të Rusisë.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan deklaroi të hënën se do të forcojë aleancën me Moskën në bashkëprodhimin e raketave balistike dhe nën instalimin e sistemeve kundërajrore ruse S-400 brenda prillit 2020.