“Shërbimet e tij nuk janë më të nevojshme në Shtëpinë e Bardhë”, tha presidenti amerikan, Donlad Trump, teksa njoftoi se ka shkarkuar nga detyra këshilltarin e tij për siguri kombëtare, John Bolton.
“Nuk jam pajtuar me shumë nga sugjerimet e tij, ashtu si edhe të tjerët në administratë”, shkroi Trump në Twitter.
Bolton dha një version tjetër të ngjarjes: “Ofrova dorëheqjen time mbrëmë dhe presidenti Trump tha ‘le të flasim nesër’”.
Bolton, ish-diplomat, i është bashkuar administratës në prill të vitit 2018. Ai ka qenë këshilltari i tretë i Trumpit për siguri kombëtare, pas Michael Flynnit dhe HR McMasterit.
Paraprakisht ka shërbyer në administratat e Ronald Reaganit, George Bushit të vjetër dhe George Bushit të ri.
Ai ka ndihmuar në krijimin e rastit kundër Saddam Husseinit, duke thënë se ish-diktatori irakian ka poseduar armë të shkatërrimit në masë, por kjo teori më pas ka dalë të jetë e gabuar.
Në vitin 2016, Bolton ka bërë thirrje që Irani të bombardohet.
Në një shkrim të publikuar nga Wall Street Journal, pak kohë para se të emërohej nga Trumpi, ai ka përmendur mundësinë e sulmeve edhe në Korenë e Veriut.
Megjithatë, pasi i është ribashkuar Shtëpisë së Bardhë, Bolton e ka ndryshuar tonin: “Duhet ta dini paraprakisht se pikëpamjet e presidentit nuk janë gjithmonë tuajat”, ka thënë ai.
Bolton, së voni, ka qenë kundër negociatave midis Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve. Thuhet se ai ka bërë përpjekje të mëdha për të bindur Trumpin që të mos nënshkruajë marrëveshje paqeje me talibanët, duke argumentuar se militantëve nuk mund t’iu besohet.
Trump, në anën tjetër, thuhet se është përgatitur që këtë marrëveshje ta finalizojë, duke i ftuar udhëheqësit talibanë në Shtetet e Bashkuara.
Sipas gazetës New York Times, kjo e ka acaruar Boltonin, i cili ka argumentuar se presidenti mund t’i tërheqë trupat amerikane nga Afganistani “edhe pa shkuar në shtrat me një organizatë përgjegjëse për vrasjen e mijëra amerikanëve gjatë 18 vjetëve të fundit”.
Trump, më pas, i ka anuluar bisedimet me talibanët, ashtu si edhe ftesën e planifikuar për ta.
Këshilltarit të deritashëm të tij thuhet se nuk i kanë pëlqyer as takimet e përsëritura me udhëheqësin verikorean, Kim Jong Un, përkundër refuzimit të këtij të fundit për të hequr dorë nga programi bërthamor.
Në takimin e fundit në qershor, në atë që njihet si Zona e Çmilitarizuar midis dy Koreve, Bolton nuk e ka shoqëruar Trumpin.
Një ditë para shkarkimit të tij, zyrtarë të Koresë së Veriut kanë thënë se janë të gatshëm të rinisin bisedimet me SHBA-në, për çarmatosjen bërthamore.
Tensionet midis Trumpit dhe Boltonit në muajt e fundit thuhet se i ka rritur edhe vendimi i presidentit për të anuluar një sulm të planifikuar ndaj Iranit, pasi ky i fundit ka rrëzuar një dron amerikan.
Bolton i ka favorizuar sulmet ndaj Iranit, por, në publik, ai ka bërë përpjekje t’i minimizojë dallimet me presidentin.
Edhe pse Trump ka thënë se është i hapur ndaj një takimi me presidentin iranian, Hassan Rohani, Bolton nuk e ka parë këtë si ndryshim të pozicionit të presidentit.
“Ai do të takohet me këdo që të bisedojë”, i ka thënë Bolton Radios Evropa e Lirë. “Ai është negociator. Ai bën marrëveshje. Por, të bisedosh me ta nuk nënkupton – për presidentin Trump – nuk nënkupton ndryshimin e pozicionit”.
Trump gjithashtu thuhet se është zhgënjyer me Boltonin, për shkak të përpjekjeve të dështuara për ta hequr nga pushteti presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro.
Washington Post shkruan se Bolton nuk i ka pëlqyer as këmbënguljet e përsëritura të presidentit që Rusia të rikthehet në G7, apo grupin e shtatë vendeve më të industrializuara.
Bolton, në disa raste, ka përsëritur se Shtëpia e Bardhë e mbështet fuqishëm arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve.
Në gusht të vitit 2018, Bolton ka thënë se SHBA-ja nuk e përjashton as idenë e korrigjimeve territoriale, nëse Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për një gjë të tillë.
“Çështja e arritjes së stabilitetit në Ballkan është shumë e rëndësishme për ne”, ka thënë atëbotë Bolton.
Pas shkarkimit të tij, sekretari amerian i Shtetit, Mike Pompeo, tha se udhëheqësit e huaj nuk duhet të mendojnë se politikat e jashtme të Trumpit do të ndryshojnë me largimin e ndonjë zyrtari nga administrata e tij.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Trump ka emëruar zëvendësin e Boltonit, Charles Kupperman, si ushtrues detyre të këshilltarit të sigurisë kombëtare.