Deputeti Ferdinand Xhaferaj thotë se mbrëmë në mbledhjen e Grupit Parlamentar ka kërkuar që kreu i PD, Lulzim Basha të japë dorëheqje. Kjo vjen pas humbjeve në zgjedhjet e 6 marsit.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale ai shkruan se nuk e pranon atë që Basha tha se nuk kanë humbur asnjë zgjedhje, teksa shton se njësoj refuzoj të pranoj se PD është e ndarë ndërmjet Bashës dhe Berishës dhe s’ka opsion përtej tyre.
Deputeti thotë se PD ka kapacitet për të prodhuar një lidership të ri.
“Mbrëmë, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, kam kërkuar dorëheqjen e Lulzim Bashes nga posti I Kryetarit të Partisë Demokratike. Alternativa që PD paraqet nën lidershipin e tij qartazi nuk është e pëlqyer as nga baza e partisë, as nga votuesit e djathtë, as nga elektorati gri.
Unë refuzoj të pranoj se Lulzim Basha nuk ka humbur asnjë garë. Po njësoj refuzoj të pranoj se PD është e ndarë ndërmjet Bashës dhe Berishës dhe s’ka opsion përtej tyre. Themelet e një opozite të vërtetë, sic e meritojnë demokratë dhe më gjerë, hidhen duke dalë së pari nga kurthi i kultit të individit. Grupi Parlamentar i PD-së e ka kapacitetin dhe mbi të gjitha përgjegjësinë të prodhojë një lidership të ri që të nisë procesin e vështirë por shpresëdhënës të ringritjes së partisë” shkruan Xhaferaj.