Presidenca sllovene e Bashkimit Europian ka arritur konsensusin në gjirin e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Europian lidhur me zgjerimin e BE-së.
Ministrat e çështjeve europiane kanë aprovuar konkluzionet për vendet kandidate dhe potenciale kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Për Shqipërinë, Këshilli mirëpret vendosmërinë e vazhdueshme të Shqipërisë për të çuar përpara axhendën e reformës së BE-së.
Këshilli vëren se zgjedhjet parlamentare në prill 2021 ishin përgjithësisht të organizuara mirë dhe kujton se këto zgjedhje u mbajtën në bazë të kuadrit të ri zgjedhor pas një reforme të gjerë në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Këshilli mirëpret përparimin e mirë të Shqipërisë në fushën e sundimit të ligjit, veçanërisht duke zbatuar reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi, e cila ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme, dhe duke forcuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.