Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpreh vlerësimet dhe i uron suksese Aida Vezaj (Hajnajt) në nisjen e detyrës si drejtuesja e parë e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Me anë të një postimi në faqen zyrtare, KLP ka shprehur mbështetjen e plotë për BKH-në, e cila përmbyll me sukses procesin për ngritjen e institucioneve të reja për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar duke garantuar zbatimin dhe funksionimin e reformës në drejtësi.
“Mbështetur në Kushtetutë dhe në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” dhe si rezultat i një procesi përzgjedhës shumë rigoroz dhe sfidues ku janë vlerësuar aftësitë profesionale, integriteti si dhe aftësitë mendore e fizike të kandidatëve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka emëruar me datë 30 Korrik 2020 në pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit për një mandat 5-vjeçar me të drejtë riemërimi, duke filluar nga data 01 Shtator 2020”, shkruhet në njoftim.