Këshilli i Qarkut të Kukësit, i ka hequr titullin “Nderi i Qarkut Kukës”, Publicistit dhe politikanit Kosovar Veton Surroit.
Ky vendim është marrë, sipas kryetarit të Këshillit Abdulla Domi, si rrjedhojë e kërkesës, drejtuar Këshillit të Qarkut nga dy intelektualë të Kukësit, të cilët kanë paraqitur edhe argumentet përkatës.
Për kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjici, njëkohësisht dhe anëtar i Këshillit të Qarkut, heqja e titullit është shumë e arsyeshme, për shkak të fushatës mediatike dhe politike, që Veton Surroi po bën kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ai po bën fushat politike, mediatike kundra ushtarëve dhe ne nuk mund ta pranojmë këtë ‘Nder i Qarkut. Çfarë deri është ku? Duhet ta heqim sot dhe le të shkojë ta çojë në gjykatë”, është shprehur Gjici.
Veton Surroi ishte shpallur “Nder i Qarkut” në Kukës, në vitin 2015 me propozim te Klubit letrar “Anton Pashku”, Kukës, me motivin “Për kontribut të veçantë në fushën mediale dhe politike, gjatë krizës së vitit 1999 dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”.
Lëvizja për heqjen e titullit, vjen në një kohë kur Surroi i ka dalë në mbrojtje kreut të PD, Lulzim Basha lidhur me akuzat që I janë bërë për rolin e tij në Kosovë në periudhën e pasluftës. Ai ka kritikuar gjithashtu kryeministrin Rama, për qendrimin e tij në këtë debat.