Këshilli i Sigurimit rrëzon propozimet e SHBA-ve dhe Rusisë për Venezuelën

0
8
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk kanë arritur që të kalojnë rezolutat e tyre për Venezuelën, duke treguar ndasitë botërore për menaxhimin e krizës në vend. Pala amerikane në Këshillin e Sigurimit tha se vota kundër tyre është mbështetje për presidentin Nikola Maduro dhe rrezikon stabilitetin e të gjithë rajonit.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka rrëzuar dy rezoluta alternative të fuqive të mëdha rreth mënyrës si duhet menaxhuar kriza politike dhe humanitare në Venezuelë.

Propozimi amerikan që Karakasi të mbajë zgjedhje të reja presidenciale, dhe të sigurojë ndihma humanitare për popullsinë, mori shumicën e votave por u kundërshtua nga Kina dhe Rusia, të cilët kanë edhe të drejtën e vetos.

Ndërkohë, dokumenti i propozuar nga Rusia, që parashikonte një zgjidhje politike për krizën në vend dhe një rol më të madh vendimmarrës të qeverisë venezueliane, u kundërshtua nga shumica e vendeve pjesëmarrëse.

Diplomati amerikan, Eliot Abrams, shprehu keqardhje për qëndrimet kundër.

Abrams: “Duke mos e votuar rezolutën tonë, disa anëtarë të këtij këshilli vijojnë të mbrojnë Maduron dhe sivëllezërit e tij, dhe të zgjatin vuajtjet e popullit venezuelian. Kjo krizë artificiale po shtrihet përtej kufijve të Venezuelës dhe rrezikon të destabilizojë të gjithë rajonin.”

Kreu i shtetit të Venezuelës, Nikola Maduro, vijon të ushtrojë kontroll të plotë mbi ushtrinë dhe institucionet shtetërore, ndërsa rivali i tij, opozitari Huan Guaido, është njohur formalisht si presidenti “de jure” i vendit nga Shtetet e Bashkuara dhe rreth 50 kombe të tjera.

Ky i fundit tha të enjten në një dalje përkrah presidentit të Brazilit se nuk do të ulet në negociata me qeverinë aktuale nëse në bisedime nuk përfshihet çështja e zgjedhjeve të reja dhe krijimi i një qeverie tranzitore.

Guaido tha se pas takimeve me liderët latino-amerikanë gjatë ditëve të fundit, pret që të kthehet në atdhe, ku edhe mund të arrestohet si pasojë e shkeljes së urdhrit të prokurorisë për të mos udhëtuar jashtë vendit.

 

Zjarr Tv Ad