Kina nderon Mao Ce Dunin

0
77
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kina feston të martën 70 vite nga themelimi i republikës moderne. Kujtimi i ish-udhëheqësit të vendit, Mao Ce Dun, u nderua nga presidenti dhe zyrtarë të tjerë, ndërsa në pak orë do të fillojnë paradat masive, ekspozimi i epërsisë ushtarake dhe 70 mijë pëllumba do të lëshohen në qiell.

Liderët kinezë nderuan të hënën ish-udhëheqësin e tyre, Mao Ce Dun, në prag të 70-vjetorit të pushtetit komunist.

Përballë statujës së prijësit të njohur si “timonieri i madh” dhe themeluesit të Kinës moderne, u përkulën tri herë në shenjë respekti presidenti, Shi Xhinping, dhe zyrtarët e mbledhur në sheshin e Tiananmenit.

Nderimet e rralla vijuan brenda mauzoleut ku trupi i tij ruhet i balsamuar në një vitrinë qelqi që nga viti 1976.

Të martën, përkujtimi i themelimit të Republikës Popullore të Kinës do të festohet masivisht me parada ushtarake, me ekspozimin e armëve shkatërruese, me koreografi dhe me lëshimin e 70 mijë pëllumbave në qiell.

Eventet mbahen për të dëshmuar transformimin e Kinës nga një ish-shtet i rrënuar nga lufta dhe zia e bukës, në një shtet-komb modern dhe të fuqishëm komunist.

Historianët tregojnë se pavarësisht arritjeve, nuk duhen harruar miliona të vrarët si pjesë e Revolucionit Kulturor apo dhjetëra milionë të tjerë të vdekur nga uria, pikërisht në kohën e ish-liderit komunist, Mao Ce Dun.

Atmosfera e festimeve këtë vit është ftohur disi për shkak të rebelimit dhe protestave gati katërmujore për demokraci në rajonin gjysmautonom të Hongkongut.

Aktivistët kundër Kinës kanë paralajmëruar se aksioni i tyre nuk do të ndalet pavarësisht datës përkujtimore, ndërsa policia lokale njofton se përleshjet e së dielës mund të përsëriten edhe më ashpër ditën e martë.

Zjarr Tv Ad