Nga Ylli Manjani.
Të kthehemi pak tek çështjet tona, se me ato të Rusisë nuk ia dalim dot.
ODIHR, në raportin e tij pas zgjedhjeve të vjetshme praktikisht e ka rrëzuar ligjin e Dekriminalizimit. Në rekomandimin me numër 14, faqe 32, raporti thotë se “duhet të hiqen kufizimet e të drejtës së kandidimit të personave të arrestuar apo deportuar, fajësia e të cilëve nuk është vërtetuar me vendim gjykate..”
Shiheni vetë! E thotë ODIHR këtë gjë. E ka lënë detyrë shtëpie për Parlamentin.
Kjo detyrë shtëpie zgjidhet duke hedhur në kosh ligjin e Lulit për Dekriminalizimin. Dhe në fakt, ashtu siç thotë ODIHR është.
Nëse lexoni Kushtetutën e Republikës, nenet 69, 70 dhe 71 do të kuptoni qartë se kushtet për kandidim dhe për heqje mandati janë listuar aty. Ndaj s’ka ligj, qeveri e ambasadë që të shtojë kushte të tjera, mbi ato që ka vendosur Kushtetuta.
Nëse Parlamenti i shërben Republikës, duhet ta hedhë në kosh ligjin e Lulit. Nëse i shërben talebanizmit, pra të qëndruarit në pushtet pa kundërshtarë e zgjedhje, le të vendosin të eliminohet opozita.
Ta fusin edhe Lulin në qeveri që të mbyllet edhe muhabeti i financimit rus në zgjedhje…
* * *
Sugjerohet që këtë raport ta lexojë edhe zonja Kim dhe shefi i Prezencës së OSBE në Tiranë. Për lehtësi, dhe nëse s’kanë kohë, i rekomandoj të fokusohen faqe 16 dhe 32.