Kreu i zgjedhur i grupit parlamentar demokrat Korab Lita ka dalë sot para mediave bashkë me katër deputetë të tjerë të grupit, Alban Zeneli, Fatjona Dhimitri, Halil Jakimi dhe Arben Elezi për të sqaruar çfarë po ndodh në këtë grupim opozitar parlamentar.
Lita tha se zonjës Rudina Hajdari që e drejtonte këtë grup i është kërkuar dorëheqja dhe ajo e ka dhënë verbalisht në mbledhje. Sipas tij, Lita është zgjedhur nga grupi dhe për këtë ka shkresa e firma.
“Është diskutuar për funksionimin e grupit parlamentar ku pasi janë bërë prezentë nga të gjithë anëtarët e grupit të gjitha problematikat e hapura deri tani, i është kërkuar zonjës Hajdari të tërhiqet nga drejtimi i grupit dhe të vazhdojë me detyrat e tjera mjaft të rëndësishme që ka në mbështetje të grupit. Pas bërjes prezent të shpërdorimit të besimit tonë prej 6 muajsh si në aspektin organizativ, politik dhe deri në atë ligjor, zonja Hajdari në mënyrë verbale deklaroi dorëheqjen e saj në mënyrë verbale përballë grupit. Pas këtij momenti grupi kaloi në procesin zgjedhor të zgjedhjes së kryetarit të tij. Për këtë arsye u propozuan tre kandidatura z.Alban Zeneli, z.Halit Valteri dhe Korab Lita. Z.Alban Zeneli u tërhoq nga gara dhe në garë ngelën dy kandidatura. Halit Valteri dhe Korab Lita. Zoti Valteri kërkoi kohë për të takuar kolegët me qëllim lobimin për vota nga kolegët për këtë detyrë. Me unanimitet grupi vendosi që t’i jepet kohë zoti Valteri deri ditën e nesërme datë 11 tetor 2019. Në këtë mbledhje pasi kishte bërë lobim dhe nuk gjeti mbështetje nga kolegët për këtë detyrë, zoti Valteri deklaroi se tërhiqet dhe më mbështet mua në këtë garë. Për këtë u votua në mënyrë të hapur dhe u përpilua procesverbali i mbledhjes dhe u vendos nga të gjithë të pranishmit në mbledhje, në mënyrë unanime. Pas këtij momenti në respekt të rregullores së Kuvendit, neni 16, pika 2 është bërë procedura për të njoftuar kryetarin e Kuvendit për ndryshimet e bëra. Kjo procedurë është firmosur nga 7 anëtarët e grupit, përfshirë edhe zotin Valteri, procedurë e cila u dërgua në protokollin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Kjo është e gjitha ajo çka ka ndodhur, në respekt të informimit të opinionit publik”, deklaroi Lita.
I pyetur për deklaratat e Hajdarit se ajo vijon të jetë në krye të grupit, Lita tha se kjo është e vërteta.
“E vërteta është kjo që sapo thashë, e cila është e bazuar në shkresa, në firma dhe në votë të tjerat janë… Zonja Hajdari ka qenë në mbledhje dhe ka dhënë dorë dorëheqjen kjo është e vërteta. Nëse tërhiqet zoti Valteri ngelen akoma dhe 8 deputetë, ne jemi 9 deputetë. Pas ditës së enjte është kushdo i lirë të tërhiqet aty ku e ndjen veten”, u shpreh ai.