Zjarret nga pakujdesia në zona të banuara janë bërë të shpeshta javët e fundit në Qarkun Dibër, duke vënë në rrezik jetën e banorëve. Një rast i tillë u shënua këtë të martë në fshatin Fullqet të Bashkisë Klos. Një zjarr i rënë në një parcelë me barë të thatë për pak rrezikoi të shkonte tek disa banesa të fshatit.
Ndërhyrja e menjëhershme e banorëve për shuarjen e flakëve e ka bërë të pamundur neutralizimin e zjarrit për shkak të erës së fortë. Menjëherë aty ka shkuar mjeti zjarrfikës i Bashkisë Klos bashkë me ekipin të cilët fillimisht kanë neutralizuar përhapjen e zjarrit e më pas kanë fikur mullarët e barit që ndodheshin aty.
Për fat të mirë nuk ka patur të lënduar në njerëz, ndërsa zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga pakujdesia e kalimtarëve që mund të kenë hedhur aty ndonjë cigare të ndezur.