KLP ka publikuar listën me tre prokurorë kandidatë për të drejtuar SPAK. Sipas njoftimit të KLP, interes për të drejtuar SPAK kanë paraqitur tre prokurorë. KLP shprehet se prokurorët që kanë shprehur interes për të drejtuar SPAK-un janë Arben Kraja, Edvin Kondili dhe Altin Dumani.
Njoftim për shtyp i KLP:
Njoftim mbi kandidatët të cilët kanë shprehur interesin për pozicionin e Drejtuesit së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Sot ka përfunduar afati për aplikimin për pozicionin e Drejtuesit së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bazuar në njoftimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të shpallur në faqen zyrtare të Këshillit me datë 26 nëntor 2019 janë njoftuar të gjithë prokurorët e emëruar në Prokurorinë e Posaçme të shprehin interesin për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Afati i aplikimit është data 10 dhjetor 2019. Dorëzimi i kërkesës dhe dokumentacionit bëhet pranë zyrës së Protokollit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në adresën: Rruga “Qemal Stafa”, nr.1, pranë mjediseve të Prokurorisë së Përgjithshme, Tiranë.
Në afatin të përcaktuar nga Këshillit të Lartë të Prokurorisë , thirrjes për shprehje interesi janë përgjigjur tre kandidatë, Arben Kraja, Edvin Kondili dhe Altin Dumani. Ata kanë dorëzuar pranë Këshillit letrën e motivimit në të cilët shprehet motivimi për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, letrën mbështetëse (shpjeguese) për standardet 1,2,3,4,5,7 të parashikuar në metodologjinë e miratuar me vendim të KLP nr.237, datë 25.11.2019 (publikuar në faqen zyrtare të Këshillit) dhe vizioni ose planin të besueshëm për ndërtimin e Prokurorisë së Posaçme si një institucion funksional dhe efektiv sipas standardit 6 të metodologjisë.