KLSH çon në SPAK kryetarin e komisionit të Prokurimeve, ish-kryebashkiakja Luljeta Dollani sot nënprefekte

0
310
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Abuzime të rënda me tenderat dhe fondet publike. Rreth 60% e procedurave të prokurimit kanë rezultuar me shkelje në Bashkinë e Gramshit, në kohën kur drejtohej nga Luljeta Dollani e cila është aktualisht nënprefekte e këtij qyteti, e përzgjedhur nga Partia Socialiste.

Në këto kushte abuzimi, Kontrolli i Lartë i shtetit, pas auditimit ka kallëzuar penalisht kryetarin e komisionit të prokurimeve publike z.Adnand Shuli, për shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet publike, dosja e tij sot ndodhet në SPAK. E ndonëse kjo dosje është objekt hetimi nga SPAK, aktualisht, zoti Shuli vijon të jetë në krye të detyrës duke vijuar procedurat tenderiale.

Në dosjen e plotë që disponon HASHTAG, thuhet se Kontrolli i Lartë i Shtetit auditoi Bashkinë Gramsh për periudhën nga 01.01.2017 deri më 31.12.2018.

“Për periudhën objekt auditimi, janë zhvilluar 46 procedura prokurimi nga ana e Bashkisë Gramsh. Nga grupi i auditimit, referuar numrit të tenderave, u vlerësuan për tu audituar 17 tendera nga 46 ose afro 37% e tyre”, thuhet në raport. Sipas tij, nga 17 procedura prokurimi të audituara, 10 prej tyre (afro 60%) janë konstatuar me shkelje e parregullsi të rëndësisë së lartë nga ana e KLSH si:

  1. Vendosja e kritereve kualifikuese jo plotësisht në përputhje me natyrën e Investimit.
  2. Kritere të paargumentuara dhe diskriminuese
  3. KVO ka shpallur fitues operator ekonomik që nuk i përmbushin të gjitha kërkesat e vendosura nga njësia e prokurimit në DST.
  4. Pavarësisht mangësive janë vlerësuar dhe shpallur fitues operatorë me ofertat më të larta, vendimmarrje e cila ka sjellë si pasojë prokurim të fondeve publike pa ekonomicitet, eficencë dhe efektivitet duke i shkakuar dhe dëm ekonomik Bashkisë Gramsh.

Nga auditimi i ofertave, rezulton se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave  ka kualifikuar dhe shpallur fitues ofertën më të lartë edhe pse nuk plotësojnë kriteret e vendosura në DST.

Në të gjithë procedurat e prokurimit të kapura me shkelje, kryetari i komisionit të vlerësimit të ofertave është z.Adnand Shuli, njëherësh dhe sekretari i përgjithshëm aktual i bashkisë.

Sa më sipër, kur asnje operator  ekonomik nuk plotëson kriteret e vendosur në DST, kryetari i komisionit nuk duhet të kishte kualifikuar operator fitues, por duhet të kishte anuluar tenderin.

Moskryerja e këtij veprimi është në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, sipas neneve të mëposhtëm:

– neni 24 “Anulimi i një procedure prokurimi”, pika nr.1, gërma (ç), ku thuhet:

“Autoriteti kontraktor anulon procedurën e prokurimit vetëm (ç) nëse asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përputhet me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit”

-nenin 53 “Shqyrtimi i ofertave”, pika 3: ku thuhet: “Autoriteti kontraktor, në zbatim të pikës 4 të këtij neni, vlerëson një ofertë të vlefshme, vetëm nëse ajo është në përputhje me të gjitha kërkesat dhe specifikimet e përcaktuara në njoftimin e kontratës dhe në dokumentet e tenderit, pa rënë ndesh me përcaktimet e nenit 54 të këtij ligji.”

Abuzimet me fondet publike në Bashkitë e rretheve, vazhdimisht kalojnë pa vëmendje mediatike, ndonëse shumat që përfitohen janë të konsiderueshme.( marr nga hashtag.al) 

Zjarr Tv Ad