KLSH zbulon skandalet e Ministrisë së Jashtme:”Firmosen kontrata 5 vjeçare pa miratimin e ministrit, rrezikojmë të na konfiskojnë pronat ‘diplomatike’ jashtë vendit”

0
106
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Drejtorinë e Shërbimit të Trupit Diplomatik ka nxjerrë në pah disa problematika në lidhje me menaxhimin e pronave që janë në varësi të saj.

Ky auditim ka konstatuar një ulje të qirave të disa pronave në Tiranë, që reflektohet në rënie të të ardhurave për shtetin shqiptar.

“Nga auditimi rezultoi se gjatë vitit 2018 nga DSHTD janë dhënë me qira 83 objekte dhe janë përfituar prej tyre, të ardhura nga qiraja në vlerën totale 175,081,184 lekë, ndërsa për periudhën deri më 30.11.2019 (11-mujor) janë dhënë me qira 93 objekte dhe janë përfituar prej tyre të ardhura në vlerën totale 166,369,140 lekë. Ulja e tarifave të qerave krahasuar me çmimin e tregut, për disa nga subjektet qiramarrës në rastet e pall.nr.57 me adresë Bulevardi “Zogu I”, si dhe në Rrugën “Skënderbej”, të cilët nuk janë të listuar si përfaqësi e trupit diplomatik, kanë ndikuar direkt në uljen e të ardhurave dhe rrjedhimisht në fitimin e kësaj ndërmarrjeje”, thuhet në dokument.

Por nuk mjafton me kaq, pasi për këto prona janë nënshkruar kontrata 5 vjeçare pa miratimin e ministrit, kur vetë ligji thotë se kontrata e qirasë për këto prona duhet të jetë 1 vjeçare.

Një tjetër rast është edhe blerja e 10 apartamenteve në Romë para disa vitesh, por që nuk janë të reflektuara në kontabilitet dhe në inventarë në llogari të vendit tonë. Vlera e këtyre apartamenteve shkon në 12 milionë lekë sipas KLSH.

“Nga komunikimet verbale me subjektin, DSHTD ka problematikë juridike të mbartur në lidhje me pronësinë e tyre, por të shuar përgjatë vitit 2013 në favor të Republikës së Shqipërisë. Në arkivën e DSHTD korrespondenca e fundit shkresore mban nr. 578, datë 12.03.2014 me lëndë “Mbi regjistrimin e 10 apartamenteve në pronësi të shtetit shqiptar” dërguar nga Ambasada e Romës për në MEPJ, në të cilën është vënë në dijeni dhe DSHTD.

E si të mos mjaftojë kjo, 10 apartamentet e regjistruar në 29 shtator 2013 në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Romë nuk kanë siguri të plotë juridike për pronësinë nga shteti shqiptar. Republika e Shqipërisë rezulton debitore në regjistrin publik në Romë, çka mund të bëjë që këto prona të sekuestrohen.

“Sipas kësaj shkrese 10 apartamentet janë regjistruar në datën 29 shtator 2013, në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Romë, por pavarësisht kësaj, për to nuk ka siguri të plotë juridike për pronësinë nga shteti shqiptar. Sipas konsulencës ligjore të kontaktuar për këtë çështje, RSH rezulton debitore në regjistrin publik në Romë dhe si të tilla këto pasuri mund të jenë objekt sekuestrimi. Nga kjo shkresë deduktohet se apartamentet nuk kanë imunitet diplomatik ende deri më 12.03.2014”, vlerëson KLSH.

Përveçse në kahun e të ardhurave ky institucion nënvizon se ka gjetur shkelje edhe në kahun e shpenzimeve ku janë bërë rritje të pajustifikuara në disa zëra si dhe janë shpërndarë shpërblime pa kaluar hallkat e nevojshme të miratimit.

Zjarr Tv Ad