Kreu i Partisë Demokratike pas firmosjes s koaliciont opozitar me aleatët e saj dhe me LSI-në, tha se “betimi” kryesor është moslejimi i mbajtjes së zgjedhjeve farsë.
Kryedemokrati para mediave theksoi se kushti i vetëm i panegociueshëm është krijimi i një qeveria tranzitore pa Edi Ramën kryeministër.
Gjithashtu Basha tha se në vijim numri i atyre që do t’i bashkohen koalicionit opozitar do të rritet ndërsa theksoi se misioni i shpalosur është kombëtar, i cili do të synojë ndëshkimin e krimit elektoral dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për të gjithë shqiptarët.
“PD ka përfunduar paraditen e sotme nënshkrimin e marrëveshjes së koalicioni politik dhe qytetar. Në orët në vijim ky koalicion do të zgjerohet edhe më tej dhe është i hapur për të gjithë, duke i dhënë fund krimit. Kurrë më nuk do të pranojmë një proces zgjedhor kukull të interesave të oligarkisë. Do të angazhohemi fuqimisht që përmes aksionit të zhvillojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për këtë është e domosdoshme ndëshkimin e krimit elektoral, që prodhoi një qeveri kriminale.
Zgjedhje farsë në Shqipëri nuk do të këtë. Nuk do të këtë zgjedhje pa u ndëshkuar krimi. Pakti dhe marrëveshja opozitare nuk është thjesht një konfirmi i maxhorancës së re, politike, morale dhe numerike, por një mision më i madh, një mision kombëtar. Për t’i dhënë fund tranzicionit dhe për të diktuar rregulla së bashku me sovranin. Ndalja e krizës ekonomike dhe shfrytëzimin e pasurive të vendit tonë për të sjellë mirëqenie dhe siguri për të gjithë qytetarët. Hapi i panegociueshëm, është largimi i aktorit të krimit dhe krijimi i një qeverie tranzitore”, tha ai.