Kryministri Rama, rreth orës 11:00 ka shkuar sërish në zyrën e Ilir Metës, ndërsa nuk dihet se për çfarë po bisedojnë.
Dje dy aleatët në qeveri, kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta i lëshuan shigjeta paralajmëruese njëri-tjetrit për vijimësinë e koalicionit, kur Meta tha se dilte nga qeveria nëse Rama siguronte 71 mandate dhe ky i fundit tha se i kishte, gjithçka ka mbetur e paqartë. A do vijojnë të jenë bashkë.
Sytë e të gjithëve u drejtuan nga Kryesia e Kuvendit, pasi takimi i fundit mes tyre, ditën e hënë prodhoi një shkarkim, atë të ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, por a i kanë sqaruar sot të gjitha “pengjet” dy aleatët?
Tensionet e fundjavës mes PS-LSI kulmuan të hënën, kur kryeministri Edi Rama vendosi të shkarkojë ministrin Manjani, nga radhët e LSI-së. Ky i fundit tha se pikërisht deklaratat e tij në media për kanabisin, por edhe për Klement Balilin u bënë shkak për këtë veprim, por në sqarimin e shkarkimit të firmosur nga Kryeministri Edi Rama thuhej: “Në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë së bashkëqeverisjes dhe të koordinimit sa më të mirë të punës me Kuvendin, aktorët e tjerë shoqërore e grupet e interesit, për çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi, kam gjykuar të nevojshëm lirimin e Ministrit Manjani dhe zëvendësimin e tij me Ministrin Vasili”.
PS e LSI kanë bërë me dije se shkarkimi i Manjanit u vendos pas disa orësh tensioni e debati mes kryeministrit, Edi Rama dhe kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Tensionet PS-LSI u thelluan ndjeshëm fill pasi kreu i Kuvendit, Ilir Meta i dërgoi një letër Presidentit Nishani për të mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare për Klement Balilin duke fajësuar indirekt Policinë e Shtetit për mosarrestimin e tij. Mandej ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe deputetë të tjerë të LSI shpërthyen në akuza mjaft të ashpra ndaj ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Policisë së Shtetit sa i përket kanabizimit të vendit. Nga ana tjetër Tahiri por edhe Rama reaguan duke thënë “fronti i së keqes nuk na ndal” apo “qentë le të lehin, karvani do ecë para”.