Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka zgjedhur që këtë fundjavë të gushtit ta kaloj afër detit. Përmes një postimi në facebook, kreu i PL ka shpërndarë një foto me një familje emigrantësh nga Britania, të cilët kanë zgjedhur plazhet e Shqipërisë për të ndarë pushimet.
Në mbishkrimin e fotos Meta shkruan se pa bashkatdhetarët shqiptarë që jetojnë në Britani, por dhe të gjithë emigrantët shqiptarë, plazhet e vendit do të ishin të zbrazëta. Ai shton se është koha për të bërë më shumë për turizmin.
Postimi i plotë
Kënaqësi të takoja sot shumë bashkatdhetarë nga Britania që vijnë çdo vit këtu për t’u çmallur me prindërit, por edhe për t’i lidhur fëmijët me Atdheun dhe ruajtur gjuhën.
Plazhet tona, pa shqiptarët e Britanisë dhe emigracionin do ishin edhe më të zbrazëta dhe të ardhurat për turizmin më të ulta. Ndaj mirënjohje të gjithë atyre që nuk dorëzohen nga vështirësitë që ndeshin këtu.
Koha për të bërë më shumë për zhvillimin e turizmit!