Kombëtarja U-17 e femrave, e drejtuar nga Agustin Kola, do të marrë pjesë në muajin shtator në një turne miqësor që organizohet nga UEFA në Lituani, nga data 10 deri më 17 Shtator. Në këtë turne do të marrin pjesë katër skuadra, vendasit e Lituanisë, Republika e Irlandës, Greqia dhe Shqipëria.
17 vjeçaret e trajnerit Kola do të grumbullohen në datë 5 Shtator për të zhvilluar seancat stërvitore dhe kolauduar grupin përpara nisjes për në Lituani, që do të bëhet në datë 9 Shtator. Më datë 10 Shtator, në orën 14:00, do të luhet edhe ndeshja e parë kundër Republikës së Irlandës.
Ndeshja e dytë është planifikuar të zhvillohet më datë 13 Shtator kundër fqinjëve të Greqisë, përsëri në orën 14:00. Ndeshja e tretë dhe e fundit në këtë turne miqësor do të zhvillohet më datë 16 Shtator kundër vendasve të Lituanisë, e cila ashtu si edhe ndeshjet e para do të luhet në orën 14:00, më orën shqiptare.
Ky është grumbullimi i dytë për këtë vit për Shqipërinë e femrave U-17, pas atij të zhvilluar në fillim të muajit mars ku skuadra e Kolës u përgatit për pjesëmarrjen në “UEFA Youth Girls Development”, turne që u mbajt në Maltë.