Kombëtarja, një bekim për ekipet e Superligës!

0
2

Pauza që solli grumbullimi i ekipit Kombëtarë erdhi si një bekim për pjesën më të madhe të ekipeve të Superligës. Në kushtet si nisi ky sezon, ku një pjesë e mirë e ekipeve nuk ishin formuar ende, ose në rastin më të mirë ishin në ndërtim e sipër, ky pushim 2 javor ishte më shumë se i domosdoshëm. Skënderbeu, Flamurtari dhe Luftëtari ishin tre ekipe që nisën punën për sezonin e ri në limite, për një grup konkurrues as që bëhej fjalë por arritën të plotësoheshin vetëm në momentet e fundit.

Superliga

Tabela e klasifikimit është reflektimi më i qartë, dy prej tyre, Flamurtari dhe Luftëtari nuk arritën të marrin qoftë dhe një pikë në 3 ndeshjet e para. Skënderbeu me shumë se sa një ekip i konsoliduar shkoi për inerci duke marrë 2 fitore në 2 sfidat e para, Bylis në javën e tretë nxori në pah të gjithë problemet e ekipit korçarë. Të tre këto ekipe po shfrytëzojnë në maskim këtë periudhë pauze për të ndërtuar dhe një herë ekipin nga e para në aspektin taktik dhe për kapur ritmin e duhur fizik.

Shpetim Duro

Jo vetëm ekipet e fundit të klasifikimit por ky pushim ishte mëse i mirëpritur edhe në shtëpinë e Kukësit. Shpëtim Duro nuk kishte kohën e mjaftueshme për të punuar si duhet me ekipin e tij, për më tepër që një pjesë e mirë e lojtarëve erdhën në ditët e fundit, përpara nisjes së sezonit. Këtë periudhë, Shpëtim Duro dhe stafi i tij po e shfrytëzojnë për të kapur ritmin e duhur fizik dhe për të përcjellë të plotë filozofinë e tyre. 7 pikët e marra në 3 sfidat e para i japin qetësinë e duhur Kukësit për tu rikthyer më të fortë pas këtij pushimi.

Mema

Nga të paktët ekipe që nuk e dëshironin këtë pushim janë Tirana dhe Partizani, dy ekipet e kryeqytetit që e kanë nisur prej kohës përgatitjet me grupin e plotë dhe po kalonin një moment pozitiv. I njëjti diskutim dhe në Durrës, Teuta gjithashtu është një ekip që ka nisur punën prej kohësh dhe jo rastësisht ndodhet në vendi ne tretë të tabelës me 7 pikë po aq sa dhe Kukësit e Tirana.