Disa seli diplomatike në Tiranë, përfshirë edhe atë të BE e OSBE, u rrekën më kot të vinin pak makiazh mbi fytyrën autoritariste të regjimit liberticid të rilindjes. Ato i këshilluan publikisht parlamentit që po mbyllej, që mos vazhdonte më tej me zgjedhjen e kreut të Autoritetit të Mediave Audiovizive, këtij enti të rëndësishëm që shpërndan liçencat televizive dhe që po të dojë aplikon gjoba të majme mbi televizionet.
Arsyet ishin dy. E para; se Edi Rama po vendoste aty një ish-zëdhënësen e tij në PS, në një kohë që për fasadën që duan të ruajnë ambasadat, institucioni në pamje të parë duhet të drejtohet nga njerëz të pavarur. Argumenti i dytë ishte se ky votim nuk mund të bëhej në ditën e fundit të një parlamenti që po jepte shpirt, ndërkohë që populli ka shpënë aty një opozitë të re. Prandaj OSBE dhe BE propozuan zgjedhjen e ekipit të ri në Shtator.
Natyrisht, askush nuk pyeti për to. Socialistët të ndihmuar për herë të fundit edhe nga votat e disa sharlatanëve të opozitës së re i dhanë drejtim projektit që kishin nisur. Madje kreu i grupit të tyre parlamentar ironizoi diplomatët perendimorë, si njerëz që përdorin dy standarde, kur vjen puna për reformën në drejtësi dhe për mediat. Taulant Balla u shpreh i vendosur se partia pushtet do të marshonte pa e kthyer kokën pas për ata që reken t’i vënë shkopinj nën rrota. Dhe deri këtu nuk ka ndonjë çudi. Askush nuk ka pse habitet se socialistët kapën edhe një institucion më shumë, se ata shkelën me këmbë një rekomandim të Komisionit të Venecias për një AMA të pavarur, se ata nuk po tregojnë më as skrupuj për ta fshehur zaptimin e shtetit. Deri këtu janë gjëra që dihen e stërdihen. Ndaj shpesh, diplomatët e huaj e vendosin veten në rolin e lolos, kur bëjnë sikur nuk kuptojnë se ky është tashmë një realitet i pakthyeshëm.
Mjafton vetëm një shembull për ta ilustruar këtë. Po të shikoje lajmet e ditëve të fundit të binte në sy një fakt i çuditshëm. Ndërkohë që selitë diplomatike po përpiqeshin, të paktën me zë, ta pengonin kapjen e AMA-s, në mediat vendase nuk pikasej asnjë lloj note proteste, as një kritikë, madje as një thirrje për përmbajtje nga televizionet e mëdha dhe më pak të tilla. Pra përfaqësuesit e shteteve të tjera ishin më të shqetësuar se sa Klani, Top Channel, Nevs 24 apo Vizion Plus, se arbitrin e tregut mediatik vendas po e caktonte Edi Rama. Praktikisht duhet të kishte ndodhur e kundërta. Për rolin që ai ka në dhënien apo heqjen e liçencës, për gjobat që mund të aplikojë, për fuqinë që ruan në shpërndarjen e frekuecave dixhitale, mediat e mëdha të Tiranës do duhej të kërkonin me forcë emërimin e një rregullatori të ndershëm, të pavarur dhe të pa politizuar. Por ato e kanë kuptuar me kohë që s’janë asgjë më shumë se rripa transmisioni të partisë dhe prandaj ndihen gati gati të kënaqur që gjenden në hyqmin e Edi Ramës. Prandaj as nuk hapën gojën.
Dhe në këtë këndvështrim kjo heshtje, ky kapitullim, është disa fish më i rëndë se oreksi që ka çdo lloj pushteti -u vu re dhe sot-, për kontroll ndaj mediave. Ato dëshmojnë se ne nuk jemi më në pikën kur politika përdor gjithçka që ka në dorë për të manipuluar informacionin, por se ajo e ka fituar këtë betejë dhe këtë gjë tashmë e kanë pranuar edhe pronarët e televizioneve të mëdha. Nëse nuk është kjo një shenjë e qartë për gjendjen e regjimit nën të cilin ndodhemi, le të dalë njeri e ta kundërshtojë. As ambasadorët e huaj nuk e bëjnë këtë. Por ata po duken përditë e më shumë qesharakë, duke u sjellë sikur nuk e shohin që mbreti është lakuriq.
Duke u hequr sikur ushtrojnë presion aty këtu, sikur po ndreqin ndonjë gabim të bërë nga mungesa e përvojës demokratike, sikur po ruajnë vlerat e liberalizmit dhe liritë e pacënueshme, ata vihen në pozicionin e idiotit të dobishëm. Nga ky këndvështrim, Ambasda e SHBA-së, që as nuk u prononcua për këtë sprapsje të lirisë së medias, u tregua më serioze. Cinikë në pragmatizmin e tyrë siç dinë të jenë amerikanët, ata po demostrojnë se lojës sikur jetojmë në një regjim demokratik, i duhet dhënë fund. Tani, me Edi Ramën, Shqipëria ka një dorë të fortë dhe çështja shtrohet vetëm nëse je pro, apo kundër tij. Këtë e kuptuan sot së toku disa ambasadorë për këshillat e të cilve lideri jo vetëm nuk pyeti, por i vuri edhe Taulant Ballën që ti tallte.
©Lapsi.al