Koment për konferencën me gazetarët/ Ramës po i dalin djajtë nga shishja

0
64
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Rreth një javë pasi ‘Reporterët pa kufi’ treguan me gisht kryeministrin e Shqipërisë se është fajtori i drejtpërdrejtë për humbjen e 20 vendeve vetëm brenda një viti, në klasifikimin e lirisë së shtypit, duket se gazetarët që i shkuan në konferencë Edi Ramës e kishin dëgjuar këtë kambanë.

Sot në seancën e pyetje-përgjigjeve me reporterët për problemet e reformës në drejtësi, ata treguan disa shkëndija se si duhet të jetë raporti i vërtetë i mediave me pushtetin politik. Gazetarja Ambrozia Meta, e cila u shndërrua edhe në mollën e sherrit në replikat me ‘Reporters sans frontieres’, pas përjashtimit të saj nga konferencat e shtypit, bëri një akt që nuk e shohim rëndom.

Kur Rama nuk iu përgjigj drejtpërdrejtë pyetjes së një kolegeje të saj të MCN TV, ajo e përsëriti pyetjen. Rikthimi i këtij solidariteti të humbur mes kolegësh, që nuk e lejojnë veten të nëpërkëmben nga trysnia që shefi i qeverisë ushtron mbi pronarët e tyre, është një akt prej gazetari rrace.

Por ‘stari’ i ditës sot u bë gazetari i A2CNN, Klevi Muka i cili fillimisht e pyeti kryeministrin nëse ishte e moralshme që të fliste për drejtësinë dhe të mbante në krah një ministër Drejtësie si Ulsi Manja që ka dalë në përgjimet e dosjes së vjedhjes të zgjedhjeve në Dibër. Këtë pyetje normale, kryeministri e etiketoi si tejkalim etike dhe aty për aty mori përgjigjen që e la të shtangur: ‘nëse mendoni se etika mësohet më mirë në shkollën e pikturës sesa në atë të gazetarisë, atëherë vazhdoni’.

Me këtë qëndrim, që e nxori nga shinat ‘armikun e mediave të lira’, gazetari Muka nuk mbrojti vetëm dinjitetin dhe integritetin e tij, por mbi të gjitha atë të gjithë kolegëve dhe sidomos atë të atyre që përfaqësojnë TV e mëdha, të cilët, kur nuk përsërisin përmendësh pyetje të parapërgatitura, kanë shqetësimin e vetëm që të mos i prishin punë padronëve të tyre.

Por një aradhë e re reporterësh duket se po kërkon të çlirohet nga ky rol i turpshëm i pyetësit- papagall. Ata po ndërgjegjësohen për përgjegjësinë publike që kanë mbi supe dhe po kërkojnë të emancipohen nga etiketimi si korrier i pronarit në sallonin e kryeministrit.

Dhe me këtë po nderojnë veten e tyre duke nxjerrë qesharakë zvarranikët me formim londinez. Shembulli i Klevi Mukës, njësoj si modeli tashmë i instaluar i Ambrozia Metës, janë dëshmi se me çfarë lehtësie mund të griset perdja e propagandës. Mjafton shumë pak për t’i mbivendosur realitetin butaforisë, kur në punën e gazetarit dinjiteti e mposht servilizmin. Një shembull të qartë e pamë sot, kur Rama u detyrua ta ndërpresë konferencën e shtypit. /Lapsi.al

Zjarr Tv Ad