Masat kufizuese që janë, do të vazhdojnë edhe për dy javët e ardhshme. Ky lajm, u bë i ditur nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Pavarësisht se në vendin tonë, është konfirmuar tashmë që qarkullon varianti britanik, Komiteti ka vendosur që të mos të ketë ashpërsim të masave, pasi sipas ekspertëve ka pasur një rënie të numrit të infektimeve.
Në ndryshim nga herët e tjera, masa për ndalimin e grumbullimeve, nga pa afat , do të bëhet për një periudhë dy javore, pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese, duke i kthyer përgjigje Partisë Republikane.
Masat që mbeten në fuqi:
Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania)
Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery),
Shkollat e mesme në ato vende në të cilat u përcaktuan para dy javësh do të vazhdojnë të mbeten online.
Universitetet po ashtu do të vazhdojnë të mbeten online, me përjashtim të provimeve, që do të jenë të kombinuara. Provimet do të rekomandohet të bëhen online, por për ato provimet të cilat kanë domosdoshmëri për t’u zhvilluar në auditore, mund të zhvillohen në auditore, duke respektuar në mënyrë shumë rigoroze protokollet.
Fluturimet me Britaninë e Madhe vazhdojnë të mbeten të pezulluara edhe për një periudhë kohe.