Kompania e biznesmenit nga Kosova, Behgjet Pacolli, ka blerë pjesën dërrmuese të aksioneve në shoqërinë koncesionare që po ndërton Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
Në fund të muajit dhjetor, kompania Mabco Constructions SA ka blerë 40% të aksioneve në shoqërinë Vlora International Airport nga ortaku turk YDA Insaat Sanayi ve Ticaret.
Sipas kontratës, vlera e shitblerjes së aksioneve është 4450 euro. Shuma e deklaruar është lehtësisht më e lartë se vlera nominale e aksioneve që kontrolloheshin nga kompania turke. Pas blerjes së aksioneve që mbaheshin nga kompania turke, Mabco Constructions zotëron 98% të aksioneve në shoqëri, ndërsa pjesa tjetër mbahen nga 2A Group, kompani ndërtimi nga Kosova në pronësi të biznesmenit Valon Ademi.
Aktualisht, kompania koncesionare Vlora International Airport ka një kapital të paguar aksioner prej vetëm 10 mijë eurosh, ndërsa faza e parë e punimeve, gjatë vitit 2021 u financua me një hua prej afërsisht 5 milionë euro nga aksioneri kryesor, Mabco Construction. Më tej, në vitin 2022, investimi besohet se është financuar kryesisht nga një hua e marrë nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT). Të paktën bazuar në pasqyrat financiare të kompanisë, deri tani i gjithë kontributi me kapital dhe hua është financuar nga Mabco Construction, ndërsa aksionerët e tjerë nuk rezultojnë të kenë derdhur ndonjë financim direkt.
Kontratat e partneritetit publik privat mes qeverisë shqiptare dhe konsorciumit fitues u lidh në prill të vitit 2021 dhe vlera e investimit e parashikuar në kontratë është rreth 103 milionë euro (pa TVSH). Por, kontrata parashikon garanci financiare në favor të investitorit nga qeveria shqiptare. Në rast se të ardhurat minimale të parashikuara në planin e biznesit të operimit të aeroportit nuk realizohen, kompania koncesionare do të përfitojë një shumë që mund të arrijë deri në 138 milionë euro përgjatë 10 viteve pas fillimit të operimit të aeroportit. Kontrata parashikon që aeroporti të përfundojë në vitin 2024 dhe të nisë operimin në vitin 2025. Në tetor të këtij viti, u njoftua përfundimi i pistës së aeroportit, ndërsa gjatë vitit 2023 pritet të nisë ndërtimi i terminalit të pasagjerëve.
Sipas qeverisë shqiptare, Aeroporti i Vlorës pritet të jetë më i madhi në Ballkan dhe pista e tij do të mundësojë operimin e avionëve të mëdhenj për fluturime ndërkontinentale. Megjithatë, ndërtimi i këtij aeroporti ka ngjallur shqetësime të mëdha të lidhura me impaktin mjedisor. Aeroporti po ndërtohet në Novoselë të Vlorës, brenda sipërfaqes së zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë. Sipas ambientalistëve, ndërtimi i Aeroportit dhe infrastrukturës ndihmëse cenon seriozisht gjithë biodiversitetin e zonës së mbrojtur. Madje, në nëntor të vitit të kaluar, disa prej këtyre organizatave depozituan një padi kundër realizimit të projektit në Gjykatën Administrative./monitor.al