Avokati i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ka mohuar që të ketë një konflikt mes tij dhe drejtorit të burgut të Fierit, pas kërkesës për transferim në burgun e Lushnjës.
I ftuar në “Radarin Informativ” të gazetares Juli Xhokaxhi, Maks Haxhia tha se kërkesa e Tahirit është bërë sepse në Fier ka shumë të dënuar për vepra të tjera dhe gjithashtu do ta ketë më të lehtë të takojë familjarët.
“Unë vete s’po them 2 herë në jave, po një herë në 2 jave dhe kam shumë kontakt me Saimir Tahirin që është zbatues i ligjit shumë rigoroz. Nuk di që ka konflikt me drejtorin, por ka kërkuar vetë që të shkojë në Lushnjë sepse atje ka shumë të dënuar të tjerë për vepra penale të ndryshme e për shkak të aksesit të lehtë për t’u takuar me familjen. Nuk më është ankuar për rregulla të forta, ka qenë i disiplinuar dhe shumë zbatues për rregullat e burgut”, tha Haxhia.
Ai shtoi gjithashtu se do ta takojë ish-ministrin të hënën, por nuk beson të ketë pasur konflikt mes tij dhe drejtorit të burgut.
“Për konflikt nuk e di, e kam lënë që të shkoj të hënën, po nuk besoj të ketë”, tha ai.
Haxhia tha ndër të tjera se Tahiri nuk ka shumë kohë që e bën kërkesën, por ai ka dashur që në fillim të kryejë dënimin në Lushnjë, por u dërgua në Fier pasi aty kushtet ishin më të mira. Ai nuk ka kohë që e kërkon, ka 10 ditë që më ka thënë, madje ai ka kërkuar që ditën që është ndaluar të shkojë në Lushnjë. Burgu i Fierit është godinë më e re”, tha Haxhia.
Në herët u raportua se Saimir Tahiri kishte kërkuar transferimin në burgun e Lushnjës. Një nga mosmarrëveshjet ka qenë tregtimi i ujit brenda ambienteve të burgut. Sipas rregullores së burgut, të dënuarit nuk duhet të furnizohen me ujë nga familjarët. Pas këtyre përplasjeve, Tahiri i ka kërkuar drejtorit transferimin në një tjetër institucion të vuajtjes së dënimit.