Përshkallëzimi i situatës në Gadishullin Arabik dhe Iran do të shoqërohej me një kolaps të ekonomisë globale që do të reflektohej fillimisht në çmimet e naftës. Paralajmërimi vjen nga princi saudit Muhamed bin Salman i cili apelon që rrugët diplomatike të kenë përparësi mbi ato luftarake.
Arabia Saudite druhet se një konflikt ushtarak me Iranin do kërcënonte ekonominë globale, ndaj zgjidhja më e përshtatshme do të ishin diplomacia dhe paqja.
Në një intervistë për televizionin amerikan, SiBiEs, princi Muhamed Bin Salman tha të dielën se efektet e para të luftës do të ndjeheshin te çmimet e naftës, të cilat do të rriteshin në mëyrë të paimagjinueshme.
“Rajoni ynë përfaqëson rreth 30 për qind të ofertës globale energjetike, rreth 20 për qind të tregtisë dhe 4 për qind të prodhimit bruto në botë. Imagjinoni pak sikur këto tre gjëra të ndalin. Ekonomia globale do të binte në kolaps, dhe jo vetëm Arabia Saudite apo vendet e Lindjes së Mesme,” deklaroi princi i kurorës.
Në lidhje me sulmet ndaj rafinerive kombëtare të naftës javë më parë, zëvendëskryeministri Bin Salman mbështeti konkluzionet e Amerikës se Teherani ishte përgjegjës, ndërsa e cilësoi veprimin një marrëzi.
Princi saudit sugjeroi që tensionet të ulen përmes një takimi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kreut të qeverisë iraniane, Hasan Ruhani.
Ai shtoi se një hap të tillë pajtimi e ka treguar edhe kryeministri i Irakut, që pritet së shpejti të vizitojë Teheranin.
Princi i kurorës Muhamed Bin Salman komentoi edhe gazetarin disident, Xhamal Kashogi, të vrarë 2 tetorin e kaluar në konsullatën e vendit në Turqi pse kundërshtonte politikat e mbretërisë arabe.
Ai mohoi urdhërimin e vrasjes, megjithatë tha se mban përgjegjësi të plotë përderisa besohet se ngjarja u krye nga persona të punësuar prej qeverisë së tij.