Konflikti Rusi-Ukrainë, Ngjela: Moska mund të sulmojë Kievin vetëm nga frika, Putini rrezikon të arrestohet ose të vritet

0
52
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Avokat Spartak Ngjela ka komentuar tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë, ndërsa ka shpërthyer në sulme dhe kritika të forta në adresë të presidentit rus, Vladimir Putin.

Përmes një postimi në “Facebook”, Ngjela shprehet se presidenti Putin do të shkojë drejt luftës vetëm nëse nuk e kap frika, të cilin madje e quan një tiran dhe të çmendur.

“Çdo të ndodhë me Ukrainën. Do ta pushtojë Rusia? Unë, për një gjë jam i sigurt: Vladimir Putini nuk është evropian dhe e urren qytetërimin Perëndimor. I tillë ka qenë edhe një Vladimir tjetër në Rusi: Vladimir Iliç. E pra, Rusisë i erdhi sërish në krye një joevropian. Kjo kuptohet. Por, po të ishte gjallë Cesare Lambroso, ai do ta kapte nga forma e kafkës patologjinë kriminele të Vladimir Putinit.

Putini kërkon shkatërrim për të ngopur patologjinë e tij, por do ta shihni që ai do të karfoset nga frika. Nuk është Putini i pari tiran antiperëndimor i Rusisë të cilit i ka ndodhur kjo. Por, nëse Putini nuk do të pushtohet nga frika, ndonëse frika e tij është mundësia më e madhe, ai mund të shkojë drejt luftës”, shkruan ai.

Më tej në shkrimin e tij analitik, avokat Ngjela parashikon që nëse presidenti rus do të shpallë luftën për pushtimin e Ukrainës, sipas tij, ata që duan ta ruajnë Rusinë nga shkatërrimi i kësaj lufte, ose do ta rrëzojnë nën arrest, ose do të vrasin Putinin.

“Një luftë me Ukrainën, shkatërron Rusinë. Këtë e di tani çdo mendje e kthjellët në politikën e lartë ruse dhe në rangjet e larta të ushtrisë ruse. Atëherë? Shumë e qartë: nëse Putini do të shpallë luftë për pushtimin e Ukrainës, ata që duan ta ruajnë Rusinë nga shkatërrimi i kësaj lufte, ose do ta rrëzojnë nën arrest, ose do të vrasin Putinin. Këtë shembull na i kanë dhënë historitë e kësaj forme të vetëshkatërimit të një kombi, kur është fjala për elitat ushtarake. Megjithatë, duhet të presim. Por gjasat janë që Putini do të tërhiqet, sepse dihet që, psikologjikisht, fuqia e frikës është më e madhe se forca e pasionit”, nënvizoi avokat Spartak Ngjela.

Zjarr Tv Ad